Lajme

Trump do të rikthehet me median e tij sociale


Donald Trump do të rikthehet në mediat sociale, por këtë herë me rrjetin e tij personal. Këtë fakt e ka bërë të ditur një prej zëdhënësve të tij për shtypin.

Jason Miller, këshilltar i fushatës presidenciale 2020 të Trump-it, tha për Fox se ish-presidenti do të rikthehet brenda disa muajsh në aktivitetin e tij virtual. “Ndoshta për dy ose tre muaj do të kemi gati një platformë”, tha ai.

“Kjo do të jetë diçka që do të rishkruajë rregullat e lojës. Të gjithë po presin të shohin ose lexojnë çfarë do të shkruajë Trump-i. Këtë herë, në platformën e tij personale”.

Sipas Miller-it, shumë kompani të tjera i janë afruar ish-presidentit. Bisedime po zhvillohen me disa prej tyre lidhur me krijimin e platformës origjinale.

“Kjo media do të jetë aq e madhe sa dhjetëra miliona njerëz do të jenë të pranishëm në të”, ritheksoi Miller-i.

Ky vendim nga Trump-i vjen pas pezullimit të përhershëm të tij nga Twitter-i. Facebook-u e ka pezulluar gjithashtu Trump-in. Të dy platformat e pezulluan pas protestave të Capitol-it më 6 janar.

Sipas disa prej raporteve, Trump-i nxiti protestat e dhunshme dhe bastisjen e ndërtesës ikonë të demokracisë amerikane. Media sociale ishte vendimtare për përcjelljen e mesazheve të ish-presidentit.

Donald Trump kishte mbi 88 milionë ndjekës në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore