Euro 2020

Triumfi në Evropian kthehet në “parajsë” ekonomike për Italinë


Italia arriti të fitonte turneun e Kampionatit Evropian, Euro 2020, duke mundur në finale Anglinë. Por, nga ekspertët e ekonomisë, fitimi i trofeut nuk shihet thjesht si triumf në futboll, por si diçka që do të sjellë bum të ardhurash.

Sipas gazetës italiane “Il Sole 24 Ore”, ajo pritje e Gianluigi Donnarumma-s ndaj Bukayo Saka-s, që i dha titullin Italisë, mund të gjenerojë të ardhura në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Italisë deri në 12 miliardë euro.

Në bazë të studimeve të ekonomistëve, një fitore e madhe në futboll në Kampionat Evropian ose Kupë Bote, shteti fitues gjeneron një rritje rreth 0.7% të PBB-së. Por, nuk ndalet këtu, pasi kjo rritje mund të shoqërohet edhe me një rritje rreth 10% të eksporteve për produketet “Made in Italy”.

Madje, kjo e fundit, mbi rritjen e eksporteve, në Itali është e provuar shumë mirë, pasi një gjë e tillë ndodhi edhe kur ata u shpallën kampion bote në vitin 2006.

Alessandro Terzulli, kryeekonomist i SACE (Agjencia Italiane e Kreditit të Eksportit), është i bindur se kjo rritje në PBB do të ndodhë.

“Nuk ka dyshim se do të ketë një efekt të caktuar besimi, të paktën në një peridhë afatshkurtër. Pres ringjallje të disa sektorëve nga produket, ushqimi, vera dhe pijet alkoolike, të cilat konsumohen jashtë”, tha Terzulli.

“Ky efekt në konsum jo vetëm që do të ndikojë tek italainët, tani më të prirë për të festuar, por edhe në disa nga vendet ku ‘Made in Italy’ vlerësohet shumë”.

“Dihet mirë se një ngjarje e madhe sportive ka ndikim pozitiv në PBB-në e një vendi që e organizon dhe atij që e fiton”.

“Në vitin 2006, Gjermania ishte tregu ynë i parë i eksportit. Një pjesë e madhe e rritjes së prodhimeve italiane në atë vit është për shkak të rritjes së konsumit të brendshëm gjerman”.

“Është e qartë se rëndësia e fitores diktohet edhe nga përfitimi që rrjedh prej saj për markën italiane jashtë vendit”, përfundoi ai.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Fermerëve italianë (Coldiretti), fitorja në Kupën e Botës në 2006, rezultoi me një rritje të PBB-së prej 4.1% dhe ulje me 10% të numrit të të papunëve.

Viti pasues, gjithashtu, pati rritje të eksporteve të produketeve italiane, përmirësoi imazhin e Italisë dhe gjithashtu 2.36 milionë të huaj shkuan në Itali. Po sipas “Coldiretti” për vitin 2021, pritet që PBB-ja e Italisë të rritet me 5%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore