Lajme

“Trishtuese e krim monstruoz”, reagimet pas vrasjes së gruas shtatëzënë në QKUK


Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë, mbrëmjen e së mërkurës, është vrarë një grua 35 vjeçare – një ngjarje trishtuese që goditi spektrin politik dhe opinionin publik në Kosovë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se dhuna ndaj grave duhet të trajtohet urgjentisht nga autoritetet përkatëse dhe të merren masa ndaj autorit të krimit.
“E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se tragjedi të tilla duhet të luftohen bashkërisht.

“Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore”.

“Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë”, theksoi Haradinaj.

Kurse, Lumir Abdixhiku, shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktin e ka quajtur një “krim monstruoz” ndërsa ka shtuar se gjendja alarmante e dhunës ndaj grave nuk mund të normalizohet.

“Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë”.

Foto ilustruese nga Albanian Post

“Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë”.

“Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, vlerësoi se dënimi ndaj dorasit duhet të jetë maksimal.

“Kush është ai burrë që ngre armë kundër një gruaje dhe në këtë rast një fëmijë në barkun e saj? Kush ka një zemër të tillë?”

“Ti që e ke bërë këtë duhet të dorëzohesh menjëherë. Dënimi juaj duhet të jetë më i ashpër ndonjëherë”.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Citaku, ka bërë thirrje që shoqëria kosovare të mos heshtë, por të veprojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

“Rebelim. Revoltë. Shoqnija duhet me u çu në kambë. Boll ma. Gratë po vriten”.

“Nuk guxojmë me e normalizu këtë gjendje”, shtoi ajo.

Ndryshe, lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Jo zyrtarisht, dyshohet se dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës.

Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Ndërsa ka shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, vrasja ka ndodhur pas përfundimit të kontrollës së viktimës nga mjekët.

Albanian Post kupton nga burimet brenda policisë se dorasi tashmë është arrestuar. Policia zyrtarisht akoma nuk e ka konfirmuar arrestimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore