Euro 2020

Trippier-i shpreson të kalojë te United-i


Kieran Trippier ishte pranë marrëveshjes me Manchester United-in, për të kaluar te këta të fundit para Euro 2020. Megjithatë diçka e tillë tashmë dihet që nuk ka ndodhur, por lojtari shpreson se do të ndodhë përpara mbylljes së merkatos, raporton media rajonale angleze “Manchester Evening News”.

Mbrojtësi i Atletico Madrid-it, ka edhe një vit kontratë në Spanjë, vend në të cilin u transferua pas largimit nga Tottenham-i.

United-i po synon të mbyllë sa më shpejtë marrëveshjet me Jadon Sancho-n dhe Raphael Varane-n, por gjithashtu ata po synojnë një tjetër nënshkrim të rëndësishëm.

Trippier-i ishte pjesë e Kombëtares së Anglisë në Euro 2020, duke bërë një kampionat të mirë. Po ashtu ai ishte një nga pikat kyçe në formacionin e Diego Simeone-s drejt fitimit të titullit në La Liga.

“Djajt e Kuq” në krahun e djathtë ku aktivizohet edhe Trippier-i kanë Aaron Wan-Bisaka, lojtarin për të cilin investuan 50 milionë paund dy sezone më parë. Por, ai nuk ka arritur të tregojë lartësinë e duhur dhe të bindë Ole Gunnar Solskjaer-in, në fazën sulmuese.

Ndërkohë, dy lojtarët e tjerë që aktivizohen në këtë krahë duket se do të varen nga ardhja e Trippier-it.

Nëse anglezi transferohet në Manchester, Diego Dalot-i që sezonin e fundit ishte i huazuar te Milan-i dhe madja bëri edhe debutimin në Euro 2020 me Portugalinë, pritet të huazohet përsëri.

Po në huazim pritet të dërgohet edhe talenti, Brandon Williams, i cili edhe nëse Trippier-i nuk vjen është i destinuar për tu larguar në huazim, për të marrë më shumë minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore