Lajme

Trimi, ish-luftëtari i UÇK’së që ideoi flamurin e Kosovës


Muhamer Ibrahimi – Trimi

Në çdo përvjetorë të pavarësisë së Kosovës, figura e tij është e pashmangshme.

Në fillim u sha e përbuz, por bashkë me veprën që krijoi, Trimi është i pranishëm në memorien e çdo shqiptari të Kosovës.

Muhamer Ibrahimi, që njihet me nofkën Trimi, është ideatori i flamurit të Kosovës, i cili u shpalos publikisht për herë të parë më 17 shkurt të vitit 2008.

Si jo pak të ri të kohës, Trimi u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrjen në luftën për çlirim Trimi e quan fat.

“Unë pata fatin t’i përkas një gjenerate që do të arrij të kurorëzojë sakrificat e shumë brezave të mëparshëm”, rrëfen Muhamer Ibrahimi në një intervistë për Albanian Post.

“Isha ushtar i UÇK-së në njësinë TF – 0, në Zonën e Pashtrikut që për mua do është periudha më e lavdishme e jetës sime”, kujton ai.

Çlirimi nga okupatori, thotë të ketë qenë motivi kryesor që e shtyu të kapte armën e të dilte në mal për të luftuar.

“Motivi i kyçjes time në UÇK padyshim ishte qëllimi që të fitojmë lirinë, të çlirohemi nga ajo shtypje që e përjetonim si shqiptarë. Nga ajo situatë që ishte thjesht e padurueshme. Dhe çdo i ri në atë kohë shikonte të gjente ndonjë mënyrë se si do të mund t’i kontribuonte kauzës qoftë në UÇK qoftë në mbështetje”, tregon ai.

“Kur filloi lufta, shqiptarët çdo ditë e më shumë përjetonin masakrat ku nuk kurseheshin as fëmijë, as pleq, të rinj civilë, gra apo burra. Momentet më të vështira të asaj periudhe e të cilat kanë mbete vragë në kujtesën time janë vrasjet e fëmijëve. Masakrat ndaj popullit tim dhe padyshim plagosja e rënia e bashkëluftëtarëve”.

“Ky brutalitet i pushtuesit vetëm sa na shtonte motivin dhe na forconte moralin”, vazhdon më tej Ibrahimi.

Pas luftës e jetës ushtarake për një kohë, Muhamer Ibrahimi ju rikthye jetës civile.

“Vazhdova aty ky kam mbetur me studime në Fakultetin e Arteve në degën e Dizajnit dhe punoja në të njëjtën lëmi. Me dizajn grafik jam marrë edhe para lufte me ato mundësi që kishim në atë kohë”, tregon Ibrahimi për Albanian Post.

Disa vite pas çlirimit opinioni filloi të përgatitet se Kosova duhet të përfaqësohet me një flamur tjetër nga flamuri Kombëtar, ndërsa zyrtarisht paraqitej ende me simbole të OKB-së pasi që Kosova ishte nën protektorat.

Pak kohë para Pavarësisë, më 2008, Ibrahimi kujton se u organizua edhe ekspozita “me versione të ndryshme të flamujve, që do të mund ta përfaqësonin Kosovën”.

“Në atë kohë shpesh prezentoheshin versione të ndryshme. Unë pasi që merresha me dizajn kam provuar forma dhe ide se si mund të bëja ndonjë version të flamurit. Por pasi u publikua konkursi pak a shume ngjyrat dhe elementet me të cilat do të mund të paraqitej Kosova, i pata të qarta”, vazhdon rrëfimin ai.

Ibrahimi kujton që konkursi kishte kushte dhe ai tashmë e kishte të qartë se çka duhej të ofronte.

“Kërkesat e konkursit ishin qe nuk duhet të ju përngjajnë flamujve apo stemave të partive politike, lëvizjeve politike, që implikojnë besnikëri ndaj komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë, të mos përdoren shqiponje, simbole të etnive tjera apo simbole të shteteve tjera. Të mos përdoren kombinime të ngjyrave Kuq e Zi, kombinime te ngjyrave kuq – bardh – kaltër trengjyrshi sllav. Që të jetë unik dhe origjinal, të jetë lehtë i dallueshëm, të pasqyrojë qëllimin e Kosovës për integrim ne institucionet Euro-atlantike”.

“Pas leximit të konkursit, thuajse e kisha të qartë se me çfarë elemente dhe ngjyra duhet të përgatis propozimin për flamur dhe punova disa versione të përafërta me këto ngjyra dhe këto elemente sepse mendimi im ishte që këto do t’i plotësojnë ato kërkesa që ishin paraqitur në Konkurs”, tregon ai.

Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Kosovës, në fillim nuk u prit mirë, u kundërshtua e sha. Por Ibrahimi kujton që ky emocion nuk zgjati shumë.

“Kishte edhe një fushatë të mospërkrahjes ndaj flamurit gjë që ka mundur të ndikojë në një far mase, por tani më kjo është tejkaluar dhe flamuri i Kosovës valon duke shkëlqyer dhe ngrihet lartë nga heronjtë e ri të vendit tim e që janë sportistët, artistët, studentët e të rinjtë që i përfaqësojnë vlerat e Vendit”, përfundon Muhamer Ibrahimi, intervistën për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore