Shqipëria

Tri kohët e ‘Fermës së Kafshëve’ në skenë


Është rrëqethëse!

Të shkund çdo kthinë të njerëzores e të përplas te prapaskena e asaj që nuk duket.

Është goditëse!

Këlthet të papriturën e paimagjinueshme e të zmbraps të mjegulltën e politikes.

Është ajo, “Ferma e Kafshëve”!

Është ai, George Orwell!

Është… skena gati-gati qiellore e amfiteatrit që zbret në tokë alegorinë e papërsëritshme.

T’u flasësh tri kohëve

Për regjisoren e shfaqjes, Driada Dervishin, varianti i saj tingëllon tejet aktual. Madje, ky ka qenë synimi.

“Aktualizimi ka qenë arsyeja kryesore pse vendosa të punoj me një vepër të këtillë. Edhe pse e shkruar në vitin 1945, ky tekst letrar, i përshtatur më pas në një tekst dramatik, vijon të flasë”, tregon ajo për Albanian Post.

Regjisorja nuk e fsheh se kjo shfaqje e trajtuar prej saj ka ardhur mes përpjekjeve për t’u folur tri kohëve: të djeshmes, të sotmes e pa diskutim, të ardhmes së vendit ku jeton.

Përshtatja me realitetin shqiptar është e dukshme dhe e qëllimtë, sipas saj.

“Për 50 vitet e diktaturës komuniste është folur fare pak në skenën tonë, 50 vite që shpjegojnë deri diku 30 vitet e post-komunizmit, e ngre pyetjen a ka rrezik që nesër të përsëritet e shkuara?…Pushteti absolut, korrupsioni, tirania dhe të barabartët me shumë të tjera, janë tema që, në kohët që jetojmë, e bëjnë shumë të lehtë aktualizimin”, shprehet Dervishi.

Për të, e gjitha, në plotësinë e vet, ka qenë e qartë qysh në nisje.

“Si me ndërhyrjet në trajtimin e personazheve, si kolonën zanore, apo dhe në etydet koreografike, ashtu dhe elementet rekuizite, si shalli i kuq, apo dhe skenografike, të gjitha janë simbole që i shkojnë aktualizimit që kam pasur në vizionin fillestar”, zbulon ajo.

E për këtë tërësi, Dervishi dallon se “Ferma e kafshëve” flet “se sa shpejt kalon pushteti në tirani, sa shpejt iluzionet për barazi kthehen në skllavëri dhe se sa shumë pushtetet ngjajnë”.

Të jesh te ‘ferma’…

“Rrugëtimi i ‘Fermës së Kafshëve’ do të jetë i gjatë.

Në këtë rrugëtim, u bëra edhe unë udhëtar.

U gjenda në kast pas bisedës me regjisoren Driada Dervishi, të cilës i jam mirënjohës që më bëri pjesë të kësaj shfaqjeje kaq dramatike dhe një teksti kaq të veçantë si ky i George Orwell.

Nuk e prisja të isha pjesë e tij. Mendoja se ishte plotësuar i gjithë grupi dhe rolet në të. Por… ja që ishte rezervuar edhe vendi im në këtë kast energjik dhe të talentuar”.

Kështu parapëlqeu ta nisë rrëfimin për Albanian Post, aktori Xhuliano Brisku.

Për shfaqjen, ai tregon se në të, aktorët luajnë disa role dhe të gjithë bëhen pjesë e saj në 1 orë e 45 minuta.

Brisku luan rolin e Jones-it, pronarit të fermës, rolin e një deleje dhe një pëllumbi gjithashtu.

“Kemi krijuar një dyshe me aktorin Urim Aliaj që funksionon në mënyrë perfekte dhe publiku i ka pritur mjaft mirë personazhet tanë”, thotë ai.

Aktori është i mendimit se “Ferma e Kafshëve”, e shfaqur në Amfiteatrin e Liqenit, “ishte një surprizë teatrore, por dhe atelie e re për teatrin… vepra i shkon shumë asaj skene. Dhe besoj se në çdo sezon veror mund të presë qindra spektatorë”.

Madje-madje, dallon se jo vetëm “Ferma e Kafshëve”, por çdo vepër tjetër do të funksiononte mirë me frymën e teatrit lëvizës dhe një spektakli teatror.

Ai veçon edhe triumfin e shfaqjes, e cila e mbylli amfiteatrin për pesë net rresht me shitje rekord biletash.

“Veç suksesit të shfaqjes dhe aktorëve, për t’u veçuar është edhe kasti si i tërë, harmonia gjatë provave, energjia mes njëri-tjetrit, lidhja e veçantë mes aktorëve që krijoi grupin solid dhe të vendosur për të dhënë shfaqjen në një kohë rekord dhe me nivel të lartë artistik”, ravijëzon Brisku.

Dhe, më e bukura, është se grupi nuk është ndarë, energjia nuk ka shteruar edhe pas shfaqjeve të dhëna.

Për aktorin, “Ferma e Kafshëve” i flet popullit tonë, i cili ka kaluar gjysmë shekulli në një kohë të egër komuniste dhe me anë të alegorisë, humorit, ironisë, sarkazmës dhe elementëve shtesë, i tregon publikut që lufta për pushtet është shumë e egër.

“Marrë shkas nga kjo, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për mos t’u kthyer sërish në një regjim të ngjashëm, i cili i ka lënë pas gjurmët e tij të errëta edhe sot e kësaj dite”, paralajmëron ai.

Brisku ndalet edhe te “zëri” i veprës.

“Vepra flet me zë të ulët për historinë që kemi kaluar dhe bërtet fort që gabime të tilla kushtojnë. Tregon me zë të ulët që shumë njerëz janë përpjekur me anë të revolucioneve të mëdha të kenë përfituar, duke i kthyer në regjime të egra totalitare. Dhe, këto të fundit, kanë mundësi kthimi në çdo kohë”, reflekton aktori.

Kurse për George Orwell, ai thotë se është “një ndër shkrimtarët më të njohur në botë. Veprat e tij janë aq universale sa funksionojnë në çdo gjuhë e komb. E Shqipërisë i flet dyfish, me kohën e shkuar e të sotme që shpesh i përngjan të kaluarës”.

E në plotësinë e vet, “produksioni i madh i Teatrit Kombëtar i ka lënë shenjë çdo spektatori dhe pa dyshim do mbetet në mendjen e tyre”, sipas tij.

“Tek unë, ai ka lënë të ëmblën. Si një vepër e madhe që në brendësi strehoi aktorë të talentuar dhe në tërësi, një kast për zili”, është shprehur Brisku, duke përmbyllur se “Ferma e Kafshëve” është e veçantë dhe e tillë do të mbetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore