Sport

Trepça superiore ndaj Ponte Prizrenit


Trepça ka vazhduar me ndeshje pozitive, duke mundur Ponte Prizrenin 60:88 (9:21, 20:26, 14:15, 17:26), në javën e 22-të të Prince Caffe Superligës.

Takimi që faktikisht u zhvillua në Mitrovicë, nisi më mirë për “Xehetarët”, me një seri të jashtëzakonshme prej 3:19, ndërsa çerekun e parë e fituan 9:21. Kjo u ndihmua shumë në vazhdim të ndeshjes, pasi ruajtën epërsinë për të mos e rrezikuar deri në fund.

Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë për të ngritur edhe më shumë epërsinë, duke shkuar në pushim me rezultat 29:47.

Perioda e tretë ishte e baraspeshuar, ku prizrenasit tentonin të ngushtonin rezultatin, kurse mitrovicasit shkëputjen, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 43:62. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte ndonjë ndryshim të madh dhe Trepca triumfoi bindshëm 60:88.

Te prizrenasit më i dalluari ishte Urim Zenelaj me 12 pikë e nëntë kërcime, kurse te mitrovicasit më i dalluari ishte Drilon Hajrizi me 14 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime.

Ponte Prizreni numëron shtatë fitore e 15 humbje, ndërsa Trepça ka 13 fitore e nëntë humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore