Përballje

Trepça shënon fitore të lehtë në udhëtim te Rahoveci


Skuadra e Trepçës ka shënuar fitore të lehtë në udhëtim te Rahoveci me rezultat 75:103, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Vetëm pesë minutat e parë ishin të barabartë dhe më pas mitrovicasit ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 19:31.

Vendasit e filluan më mirë periudhën e dytë, duke ngushtuar shifrat në 26:31, por mysafirët sërish fillojnë shkëputjen për të fituar periudhën e dytë 17:26 dhe për të shkuar në pushim me rezultat 36:57.

“Xehetarët” nuk u ndalën as në periodën e tretë, ku arritën epërsinë më të lartë në 35 pikë, 51:86, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 56:86.

Dhjetë minutat e fundit ishin formal dhe Trepça triumfoi me rezultat 75:103.

Te Rahoveci u dallua Altin Morina me 16 pikë e tetë asistime, kurse te Trepça u dalluan Amin Hot me 19 pikë, gjashtë kërcime e dhjetë asistime dhe Taurus Ramon Cockfield me 20 pikë e gjashtë asistime.

Rahoveci ka një fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Trepça pesë fitore dhe një humbje

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore