Përballje

Trepça kualifikohet në finale, mposht Pejën


Trepça është kualifikuar në finalen e madhe të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll, teksa në ndeshjen e katërt gjysmëfinale e mposhti Pejën në udhëtim me rezultat 76:81, kështu duke e çuar serinë e ndeshjeve në 1:3.

Ndeshja në tërësi ishte e dominuar nga Trepça, të cilët ishin në formë shumë të mirë. Çereku i parë u mbyllë me 11 pikë epërsi të mysafirëve, 12:23.

Edhe në çerekun e dytë mitrovicasit ishin më efikas, megjithatë Peja u zgjua nga gjumi në dy minutat e fundit të kësaj periudhe, të cilët shënuan tre tre-pikësha radhazi, duke mbyllur pjesën e parë me rezultat 33:45.

Dy çerekët e fundit në përgjithësi ishin më të baraspeshuar, mirëpo Trepça arriti ta ruajë rezultatin, për të triumfuar në fund me shifrat 76:81.

Drilon Hajrizi me 22 pikë dhe 12 kërcime ishte më i miri te mysafirët, ndërsa  Arian Callakaj më i miri te Peja me 19 pikë.

Mitrovicasit tani do të përballen në finale me Golden Eagle Yllin, të cilët janë kualifikuar më herët, duke eliminuar Sigal Prishtinën 3:0 me ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore