Tregjet

Tregu i punës pret të përputhet


Parashikim është. Qëllon edhe del.

Mjafton që, për pak çaste, të jesh pjesë e së ardhmes dhe të të rrijë mendja tek e tashmja. Tek ajo që i jep tregut të punës atë që nuk i duhet.

Njëfarë përputhje e zorshme e mbetur në tentativë. Sikur të mos gjendeshin dot kandidatura të tjera të krahut të punës që mund të pajtohen me atë që tregut i duhet.

Ja që mund të gjenden. Madje, në të tashmen. Dhe këtë e thonë ekspertët e fushës.

Në fillim, liri zhvillimi

Eksperti i ekonomisë, Arbi Agalliu, për Albanian Post (AP) dallon se tregu ynë ka vite që ndodhet mes një mospërputhjeje të asaj që kërkohet dhe asaj që ofrohet. Kjo për dy arsye tejet të rëndësishme.

Sipas tij, arsyeja e parë ka të bëjë me deformimin e tregut të arsimit të lartë.

“Ministria e Arsimit nuk ka kryer një reformë që t’u përgjigjet nevojave të tregut, por është munduar të keqorientojë mënyrën e shpërndarjes së degëve dhe programeve të studimit”, thotë Agalliu.

Kjo bën që tregu dhe kërkesa të ecin paralel me zhvillimet teknologjike, kërkesat e konsumatorëve dhe bizneseve, ndërsa universitetet të gjenden përballë pamundësisë për t’u zhvilluar sipas kërkesave të tregut sepse i frenon baza rregullatore apo ministria me politikat dhe procedurat që ndjek, sqaron ai.

Agalliu thotë se ky institucion nuk lejon universitetet të zhvillohen apo të përshtatin kurrikulat në mënyrë të lirë, por mundohet të kontrollojë kurrikulat dhe degët e reja të studimit nëpërmjet licencimit apo konfirmimit nga sektorë të caktuar.

“Për aq kohë sa nuk lihet liri zhvillimi të universiteteve, programeve dhe profileve, do të ketë gjithmonë një hendek që krijohet midis nevojave të tregut dhe diplomave që ofrohen”, shton eksperti.

Zgjidhja që jep Agalliu është tregu që rregullon vetveten. Ndryshe “dora e fshehtë” e Adam Smith-it, i cili ka propozuar që tregu e gjen vetë ekuilibrin duke pajtuar kërkesën me ofertën.

Kjo bën që operatorët turistikë, bizneset, industria prodhuese apo çdo sektor tjetër do të ketë kërkesat e veta për specialistë të caktuar qofshin këta individë të pajisur me diplomë universitare apo me shkollë profesionale. Nga ana tjetër, janë institucionet e arsimit të lartë apo shkollat profesionale që ofrojnë këto mundësi.

“Prandaj dhe ministria duhet të minimizojë të gjithë barrën rregullatorë, në mënyrë që aktorët e tregut ta kenë më të lehtë të përshtaten”, përmbyll Agalliu.

Po në të ardhmen?

Një ekspert tjetër i ekonomisë, Pano Soko, e trajton problemin në terma afatgjatë. Për AP-në thotë se problemi i mungesës së krahut të kualifikuar të punës qëndron te nevoja që krijohet më pas.

“Ajo nevojë do të duhet të përmbushet diku dhe zakonisht, pranimi i emigrantëve të huaj si forcë punë e kualifikuar nëpër zanate, përdoret si zgjidhje në të tilla situata”, shprehet Soko.

Sipas tij, nëse do të mungojnë zanatçinjtë shqiptarë, tregu do të detyrohet të plotësojë nevojat e veta me zanatçinj të huaj.

Për të zgjidhur këtë handikap, eksperti thekson se ka vetëm një zgjidhje. Dhe se kjo zgjidhje që do të jepet duhet të jetë strategjike.

“Ne duhet të harrojmë strategjinë e zhvillimit ekonomik dhe ta ndërthurim atë me një reformë të thellë arkitekturore në arsim”, thotë Soko.

Ai vazhdon, duke sqaruar se “duhet të ridizajnojmë sistemin arsimor me qëllim që produkti i tij të përputhet me nevojat e ekonomisë për forcë punëtore”.

Soko e përmbyll këndvështrimin e tij, duke thënë se kjo është e vetmja zgjidhje “reale”. Për të, çdo gjë tjetër është fasadë që as nuk e zgjidh problemin dhe as nuk ndihmon në zgjidhjen e tij.

Orientimi vlen

Eksperti tjetër i ekonomisë, Klodian Muço, tregon se ndër vite Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka promovuar vendin me forcë punëtore të re dhe të kualifikuar. Mirëpo, tanimë kjo nuk përbën një avantazh për shumë arsye.

“Kemi një rritje të ndjeshme të kualifikimeve, por jo të aftësive. Kjo në kuptimin që, edhe pse janë të shumtë personat që mbarojnë studimet universitare, jo të gjithë janë të aftë për tregun e punës. Ka një diferencë shumë të madhe ndërmjet kompetencave që kërkon tregu i punës dhe ato që ofron universiteti”, shpjegon Muço.

Ai thotë se në vend vihet re një mungesë konvergjence ndërmjet arsimimit dhe kompetencave që nevojiten për tregun e punës.

“Tregu ka nevojë për IT, mjek, elektricist, hidraulik, menaxher hotelesh, por në të vërtetë nga bankat e shkollës dalin ekonomist, jurist apo diplomat. Kjo krijon një mospërputhje në tregun e punës dhe në të ardhmen do të bëjë që rrogat e zanatçinjve të rriten ndjeshëm e nga ana tjetër, do të kemi të diplomuar të papunë”, thekson eksperti.

Sipas tij, problemi që pason lidhet me thithjen e investimeve të huaja, pasi papunësia është e lartë për ata që disponojnë diploma universitare dhe jo për ata që kanë marrë formim profesional.

“Për t’u zhvilluar ekonomikisht nevojitet orientimi i maturantëve drejt profesioneve që kërkon tregu i punës dhe jo drejt trendëve të krijuara nga e kaluara”, përmbyll Muço.

Jo dhe aq keq 

Mirëpo, një tjetër ekspert ekonomie e sheh problemin tjetërkund. Zef Preçi nuk e trajton me kaq shqetësim fenomenin pasi për të nuk rezulton të jetë me pasoja të mëdha negative.

Për Albanian Post, Preçi thotë se “jemi përballë një tregu të deformuar dhe që ka nevojë për rregullim”, por kjo nuk do të thotë që rregullimi është i pamundur.

Sipas tij, një pjesë e rregullimit i takon sektorit publik me institucionet rregullatore që mbart, por pjesa tjetër i takon edhe atij privat. Duhet që kompanitë e mëdha që operojnë në vend të gjurmojnë “më të mirët” duke i financuar gjatë studimeve të tyre universitare dhe duke i bërë pjesë të stafeve të tyre.

Preçi shpjegon se fillesat e këtij fenomeni gjenden lehtësisht te mendësia që mbizotëron lidhur me arsimin dhe institucionet arsimore. “Arsimi nuk referohet si një e mirë publike, por përkundrazi, si mall që hidhet në treg”, thekson ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore