Lajme

Tre të arrestuarve në rastin “Brezovica” u caktohet masa e paraburgimit prej një muaji


Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të dyshuarit e arrestuar për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Brezovica”.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj është marr në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj përkatësisht Departamentit për Krime të Rënda.

Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë thotë se “B.H. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së”.

“A.Q. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 2 të KPRK-së dhe I.A. i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit nga neni 429 paragrafi 3 të KPRK-së; dhe veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Gjykata në këtë rast thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të sipërpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Tutje gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë, thuhet në njoftim.

Me gjashtë janar, Policia e Kosovës kishte vazhduar operacionin “Brezovica”, i cili lidhet me ndërtimet në zonën turistike në Brezovicë.

Në kuadër të këtij aksioni është bastisur edhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

“Po është duke vazhduar aksioni, bastisje ka në 10 lokacione gjithsej. Bastisjet po bëhen në Ferizaj, Prishtinë e Shtërpcë”, kishte thënë Jashari.

Ngrihen rreth 6 milionë euro për rastin “Brezovica”

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, gjatë një konference për media të enjten e  gjashtë janarit ka thënë se rreth 6 milionë euro janë ngrirë.

Ai ka thënë gjithashtu se janë konfiskuar edhe prova materiale, vetura dhe armë.

“Janë konfiskuar disa prova materiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku

“Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”.

“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjeture në shtëpitë e tyre”, ka thënë Maloku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore