Lajme

Tre muaj nga zhdukja e mistershme e Pecorelli-t në Shqipëri


Kanë kaluar tre muaj nga misteri rreth zhdukjes në Shqipëri të sipërmarrësit dhe ish-gjyqtarit të San Giustinese-s, Davide Pecorelli.

Ora shënonte 6:25 e pasdites më 6 janar 2021, kur makina e marrë me qira u gjend e shkrumbuar dhe e përpirë nga flakët, prej një fermeri diku në malet e Gjegjan-Mirditë.

45-vjeçari, sapo mbërriti në Tiranë, mori me qira mjetin dhe u drejtua për në Pukë. Aty do të kalonte dy net, në një hotel diku afër asaj zone.

Më pas, nga ai automjet, Skoda Fabia, do të gjendeshin mbetje njerëzore: kockat e kafkës, legenit, pjesëve të tjera të trupit, por në një sasi më të vogël.

Kjo e fundit përjashtoi një skenar të mundshëm, se këto mbetje i përkisnin një personi të djegur nga flakët.

Në Shqipëri nuk ishte e mundur të bëhej testi i ADN-së. Kjo konfirmohet, sipas mediave italiane, nga dokumentet e Prokurorisë së Tiranës, të cilat “La Nazione Umbria” i ka marrë në patronazh.

Në dokumente specifikohet se kërkesat për bashkëpunim nga hetuesit italianë mbërritën më 9 shkurt, së bashku, me mbetjet e gjetura në automjet, të krahasuara me ADN-në e fëmijëve të sipërmarrësit.

Ende nuk ka asnjë lajm nga testi, megjithëse pak a shumë do të duheshin vetëm dy-tre ditë për të kryer vlerësimin, përveç kohës teknike që ekspertët zakonisht duhet të marrin.

Nga zhvillimet e fundit të një hetimi shumë të blinduar, me sa duket nuk do të jetë e afërt koha kur do të zbardhet nëse ato kocka i përkasin apo jo Pecorelli-t.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa prokurorët e Romës dhe Peruxhias po punojnë mbi këtë çështje. Ajo e Umbrias ka kohë që ka hapur një dosje për vrasje dhe trafik ndërkombëtar droge. Hetimi i Tiranës po bëhet me akuzën për rrëmbim.

E fundit dhe më shqetësuesja është që të dy numrat e telefonit të Pecorelli-t, ende bien dhe janë aktivë. Nga ana tjetër, sigurisht që nuk ka asnjë përgjigje. Njëri nga numrat është ai që Pecorelli e kishte përdorur për ca kohë në Itali edhe në kontakte me miqtë, tjetri ka +355 si prefiks, atë të Shqipërisë.

Hetimi përcaktoi se, kur mori me qira Skoda Fabia-n më 3 janar në Aeroportin e Tiranës, biznesmeni, baba i katër fëmijëve, telefonoi dy numrat e pronarit të automjeteve, të cilët, pas më shumë se tre muajsh nga zbulimi i automjetit, janë akoma aktivë. Me pak fjalë, është dikush që ka rënë në kontakt me njërin prej telefonave dhe ka ende vend për dyshime.

Nëse ADN-ja nuk do të ishte e Pecorelli-t, do të hapeshin skenarë të mëtejshëm.

Përshtatur për La Nazione/ Umbria nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore