Lajme

Tre gazetare qëllohen për vdekje në Afganistanin Lindor


Tri punëtore të mediave janë qëlluar për vdekje në qytetin e Jalalabad-it, në Afganistanin Lindor.

Ato u vranë në dy sulme të ndara, pasi ishin duke u larguar nga redaksia ku punonin.

Televizioni lokal i Enikass TV tha se gratë e vrara ishin punonjëse të tij.

“Të gjithë kanë vdekur. Ato po shkonin nga zyra në shtëpi në këmbë kur u qëlluan”, tha Zelma Latifi, njëri prej drejtorëve.

Dy persona të tjerë u plagosën nga të shtënat.

Latifi tha se tre gratë ishin të sapodiplomuara të shkollës së mesme të moshës midis 18 dhe 20 vjeç.

Shefi i policisë së Nangarhar, Juma Gul Hemat, tha se një i dyshuar i armatosur më vonë u mor në paraburgim pas të shtënave, duke shtuar se autoritetet ishin ende në kërkim të fajtorëve të tjerë.

“Ne e arrestuam atë ndërsa po përpiqej të shpëtonte. Ai ka pranuar se ka kryer sulmin. Është anëtar i Talebanëve”, tha Hemat

Ndërkohë, zëdhënësi i Talebanëve, Zabihullah Mujahid, mohoi që grupi të kishte ndonjë dorë te vrasjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore