Kulturë

Transmetimi i ngjyrave dhe emocioneve


Në një nga lagjet më të qeta të Tiranës, ndodhet një ndërtesë e cila nga jashtë, ka shije dhe estetikë të thjeshtë, modeste, ndërsa brendësia e saj përbënë arkitekturë bashkëkohore, të pastër, minimaliste.

Shtëpi e cila është në gjendje të transmetojë ngjyrë dhe emocion.

Ndodhet në afërsi të digës së liqenit, në një ndërtesë jo shumë të re, por të rrethuar nga gjelbërimi, pisha aromatike dhe cicërima zogjsh, pavarësisht se është shumë afër kaosit të trafikut.

Pronari i këtij apartamenti shpjegon, “prej disa kohësh, po kërkonim një vend të përshtatshëm, ku mund të krijonim një atmosferë të qetë e të thjeshtë”.

Ai thotë se edhe pse ishte me mobilie ekzistuese, përsëri kishte një atmosferë që banorëve të rinj u vinte për shtat.

“Herën e parë që shkuam në objekt, për të parë apartamentin, banorët e mëparshëm sapo ishin larguar dhe shtëpia kishte një “aromë” të mirë, të bukur, të fisme”.

Duke pasur parasysh mënyrën e trajtimit të mëparshëm, plani i shfrytëzimit u mbajt siç ishte, me disa modifikime të vogla.

Gjithashtu, përmban një depo të vogël, për një ambient pastrimi dhe aksesorët përkatës.

Pas disa konsultave, për të kuptuar shijet dhe preferencat e të zotëve të shtëpisë, u vendos për një ambient të qetë, në kuptimin e kombinimit të ngjyrave.

Gjithashtu, u zgjodh që edhe elementet e dekorit të ishin sa më esenciale e të thjeshta.

Praktikisht, u përzgjodh “vija”, si një element bazë i dekorit minimalist, dollapi është stilizuar me elementin e vijave në dhomën e gjumit.

Ndaj nuk është rastësi që vijat i shohim të përdorura në faqen kryesore të dhomës së ndenjes, në ndriçuesit mbi tavolinën e madhe të ngrënies, në dhomën e madhe të gjumit, në një faqe me përmasa që nuk të lënë indiferente, e konceptuar në xham dhe dru.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore