Sport

Transferimet e mundshme të verës


Merkatoja e verës, si zakonisht, pritet të jetë e nxehtë për sa u përket transferimeve të lojtarëve. Shumë klube kanë piketuar përforcimet që u nevojiten në verë, për të nisur një tjetër sezon të ri futbollistik me shumë ritëm.

Chelsea: Blutë e Londrës kanë hedhur sytë nga 21-vjeçari i Monaco-s, Aurelien Tchouameni. Mesfushori defensiv me vlerë rreth 16 milionë euro sipas Transfermarket-it

Arsenal: Topçinjtë kërkojnë të kenë stabilitetin e munguar prej kohësh në mbrojtje. Emri më i ri në radarët e Arsenal-it është Ibrahima Konate i Leipzig-ut. Francezi 21-vjeçar e ka vlerën në tregun e transferimeve 35 milionë euro.

Andre Silva është lojtari tjetër që kërkohet nga Arsenal-i. Sulmuesi portugez ka bërë një sezon të shkëlqyer tek Eintracht Frankfurt-i dhe shihet si zëvendësuesi ideal i Alexandre Lacazette. 25-vjeçari kushton rreth 40 milionë euro.

Manchester City: Skuadra e Pep Guardiola-s është duke kërkuar përforcime në mesfushë dhe Manuel Locatelli shihet si lojtari i duhur për Pep. Regjisori i Sassuolo-s, 23 vjeç, kushton 35 milionë euro. Për lojtarin mbetet shumë i interesuar Juventus-i.

PSG: Parizienët janë duke kërkuar një mbrojtës të majtë. Benjamin Mendy i City-t është kandidati i preferuar. Francezi, që është dhe pjesë e Kombëtares, kushton rreth 28 milionë euro.

Juventus: Bardhezinjtë janë rikthyer në garë për të marrë shërbimet e francezo-algjerianit të Lyon-it, Houssem Aouar-it. 22-vjeçari, që luan me Kombëtaren e Francës, kushton 50 milionë euro dhe duket se i ka bindur drejtuesit e Juventus-it me paraqitjet e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore