Lajme

“Trajtim armiqësor”: Ambasada e Rusisë në Podgoricë reagon pas dëbimit të gjashtë diplomatëve rusë


Ambasada e Rusisë në Mal të Zi ka njoftuar se departamenti konsullor është pezulluar për një kohë të pacaktuar duke e cilësuar vendimin e diplomacisë malazeze për dëbimin e gjashtë diplomatëve rusë nga Podgorica si “sjellje armiqësore”.

“Jemi të detyruar t’ju njoftojmë se për shkak të sjelljes armiqësore të autoriteteve malazeze ndaj Ambasadës së Federatës Ruse në Mal të Zi, puna e departamentit konsullor të Ambasadës është pezulluar për një periudhë të pacaktuar që nga data 30 shtator 2022. Për shërbimet konsullore mund të kontaktoni ambasadat e Federatës Ruse në vendet fqinje”, thuhet në njoftimin e MPJ-së në rrjetin social Facebook, transmeton ‘Nova’.

Ndryshe, MPJ malazeze, të enjten e 29 shtatorit ka shpallur gjashtë diplomatë rusë persona non-grata.

Sipas njoftimit të MPJ-së në rrjetin social Twitter, kjo është bërë për shkak të aktiviteteve që bien ndesh me Konventën e Vjenës, e cila përcakton një kornizë për marrëdhëniet diplomatike midis vendeve të pavarura.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona non-grata 6 diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Mal të Zi, për shkak të veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Dy shtetas malazezë, gjashtë punonjës të ambasadës ruse dhe disa shtetas rusë janë nën hetim nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus, mëson “Vijesti” nga disa burime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore