Euro 2020

Trajneri i Rusisë i “kundërpërgjigjet” Ronaldo-s me Coca-cola


Gjesti i, Cristiano Ronaldo-s, duke larguar dy shishet e Coca-Colas nga tavolina e konferencës për media, pas ndeshjes që Portugalia e fitoi përballë Hungarisë në “Euro 2020”, është bërë tashmë virale.

Të njëjtën gjë e bëri edhe italiani, Manuel Locatelli, pas fitores së Italisë përballë Zvicrës, në të cilën shkëlqeu më një dy-golësh.

Gjithashtu edhe futbollisti i Francës, Paul Pogba, largoi një shishe të birrës Heineken, gjatë konferencës për media, pas ndeshjes Francë – Gjermani.

Por, trajneri i Rusisë, Stanislav Cherchesov, e bëri një gjest krejtësisht të kundërt nga këta futbollistë.

Si duket, trajnerin rus, e kënaqi aq shumë fitorja kundër Finlandës, i cili më pas, gjatë konferencës për media pas ndeshjes, gjesti i parë që bëri, ishte hapja e një shishe Coca-cola, të cilën e piu.

Cherchesov, më pas tha: “ Kurrë nuk e refuzoj nëse është e ftohtë”.

Kujtojmë që gjesti i Ronaldo-s i kushtoi kompanisë së Coca-cola-s me rënie në vlerën e aksioneve për shumën e katër miliardë eurove.

Mirëpo, pavarësisht se Coca-cola është sponsor në “Euro 2020”, UEFA në një deklaratë iu përgjigj veprimeve të futbollistit të Juventus-it, duke thënë se “të gjithë kanë të drejtë për preferencat e tyre të pijeve dhe se të gjithë kanë shije dhe nevoja të ndryshme”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore