Sport

Trajneri i Eintracht-it kundër ndeshjeve të kombëtareve


Tekniku i Eintracht Frankfurt-it, Adi Hutter-i, ka folur rreth pauzës së kampionateve për t’i lënë vendin ekipeve përfaqësuese kombëtare të shteteve. Austriaku e shprehu hapur mos pëlqimin e tij për këto ndeshje sidomos në një kohë si kjo aktualja.

Pushimi për t’u lënë vendin kombëtareve ka marr jo pak kritika nga aktor të ndryshëm në futboll. CONMEBOL i Amerikës së Jugut ishte konfederata e parë që shtyu zhvillimin e ndeshjeve të kombëtareve, ndërsa shumica e federatave dhe konfederatave të tjera e ka lejuar që ato të luajnë.

Hutter-i gjithashtu është një zë kundër këtyre ndeshjve. Kjo vjen si pasojë e pandemisë dhe rregullave të karantinës që kanë vende të ndryshme.

Shumë futbollistëve do u duhet të shkojnë në vendet e tyre për të luajtur dhe detyrimisht në kthim do u duhet të respektojnë karantinën. Një rregull që Hutter-it i duket i pakuptimtë.

Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFL) është duke negociuar me UEFA për të shtyrë ndeshjet e kombëtareve.

Në Bundesligë, Hoffenheim-i dhe Hertha Berlin-it, patën pasoja serioze pasi lejuan lojtarët e tyre, në tetor dhe nëntor të luanin për kombëtaret përkatëse. Përfundimi ishte se këto ekipe mbetën pa disa nga lojtarët më të mirë të tyre, për shkak të masave kufizuese ndaj Covid-19.

Çështja u bë serioze dhe Armina Bielefeld-i së bashku me Werder Bremen-in ndaluan disa nga lojtarët e tyre që të udhëtonin në nëntor.

Trajneri i Eintracht-it u tha gazetarëve se edhe klubi i tij po mendon që disa prej lojtarëve të mos i lejojë të shkojnë në shtetet përkatëse.

Klubi gjerman ka disa lojtarë ndërkombëtar në skuadër si, Martin Hinteregger-in dhe Stefan Ilsanker-in me Austrinë, Daichi Kamada me Japoninë, Aymen Barkok-un me Marokun etj.

“Ka mendime në të gjithë Bundesligën për të mos i lënë këta lojtarë të lirë. Në thelb, unë mendoj se nuk është shumë inteligjente të luhen këto ndeshje. Është çmendurisht e rrezikshme”, tha Hutter-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore