Gatimi

Traditë dhe shije, në një recetë të vetme


Kur koha është në favorin tonë, ushqimet e lehta si në shijë dhe në përgatitje, janë gjithçka duam. Si thoni për specat e pjekur e të mbushur me gjizë?

Ato janë një alternativë shumë e mirë jo vetëm për vegjetarianët, por për këdo që do të gatuajë një pjatë të shijshme.

Për më tepër është shumë e shëndetshme dhe me pak kalori.

Përbërësit:  500 gr speca të kuq me tul, 200 gr gjizë, 2 speca djegës të freskët, 5 thelpinj hudhre, vaj ulliri, kripë, piper.

Përgatitja:

Në fillim, lajmë dhe pastrojmë mirë specat për mbushje duke u hequr bishtin në formën e kapakut dhe i vendosim mënjanë.

Ndërkohë, ndezim furrën në temperaturën 250 gradë dhe nisim përgatitjen e masës për mbushje. Presim imët specat djegës dhe hudhrat, i vendosim në një enë dhe shtojmë gjizë dhe vaj ulliri.

Pasi përziejmë të gjithë përbërësit, shtojmë kripë e piper.

Nisim mbushjen e specave dhe i lyejmë nga jashtë me vaj ulliri.

I vendosim specat në tavë dhe i mbulojmë me letër alumini. I lëmë të piqen për 30 minuta.

Të shoqëruara më bukë të thekur dhe disa ullinj, nuk do të mund të gjenim kombinim më të mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore