Sport

Tottenham-i parakalon Manchester City-n në garën për talentin e Bolonga-s


Dy gjigandët nga Premier League angleze, Tottenham-i dhe Manchester City, kanë qenë në garë për të nënshkruar me talentin e mesfushës së Bologna-s në Serie A. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Mattias Svanberg-un.

Sipas “iNews”, Spurs është më e favorizuar për të nënshkruar me suedezin. Kjo dhe për shkak të lidhjeve që trajneri, Antonio Conte dhe drejtori sportiv, Fabio Paratici kanë me Serie A.

Megjithatë nuk do të jetë konkurencë e lehtë. Edhe klubet e mëdha nga Serie A janë në ndjekje të lojtarit. Juventus-i, Milan-i, Inter-i dhe Atalanta kanë bërë përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e 22-vjeçarit.

Pavarësisht gjithçkaje, Tottenham-i është i bindur se Svanberg-u do të jetë nënshkrimi i parë i epokës Conte. Madje mund të transferohet në Londër gjatë merkatos së janarit.

Svanberg-u është pjesë e Bologna-s që nga viti 2018, kur u transferua nga suedezët e Malmo-s, për shifrën e 4.5 milionë eurove. Ai ka kontratë me italianët deri në verën e 2023 dhe kartoni i tij shkon në rreth 12 milionë euro sipas “Transfermarkt”-it.

Këtë sezon, 22-vjeçari numëron 17 paraqitje në Serie A dhe një në Kupën e Italisë. Tre gola dhe dy asiste mbajnë emrin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore