Sport

Tottenham-i i Mourinho-s sfidon Liverpool-in e Klopp-it


Premier Liga do të sjell një duel interesant të enjten në mbrëmje. Duke filluar nga ora 21:00, Tottenham-i i Jose Mourinho-s do të përballet me Liverpool-in e Jurgen Klopp-it, në “Tottenham Hotspur Stadium”.

Të dy ekipet, janë larg kreut të Premier Ligës dhe do të kërkojnë fitoren në këtë ndeshje. Vendasit gjenden në vendin e gjashtë me 33 pikë (me një ndeshje më pak se Liverpool-i), ndërsa miqtë ndodhen në vendin e pestë me 34 pikë.

Përballjen e fundi mes dy ekipeve e ka fituar Liverpool-i. Gjatë fazës së parë, ndeshja e luajtur në “Anfield”, përfundoi me shifrat 2-1 për vendasit. Mohamed Salah-u dhe Roberto Firmino shënuan për ekipin e Klopp-it. Në krahun tjetër shënoi Heung-Min Son-i.

Ndeshja e fundit që Tottenham-i fitonte kundër Liverpool-it ishte më 22 tetor 2017, me shifrat 4-1. Harry Kane (dy gola), Son-i dhe Dele Ali-u shënuan për Tottenham-in, ndërsa për Liverpool-in golin e vetëm e shënoi Salah-u.

Në sezonin aktual, Tottenham-i ka luajtur 18 ndeshje në Premier Ligë. 33 gola të shënuar dhe 17 të pësuar. Liverpool-i ka luajtur 19 ndeshje. 37 gola të shënuar dhe 22 të pësuar.

Nëntë fitore, gjashtë barazime dhe tre humbje për Tottenham-in, kundrejt nëntë fitoreve, shtatë barazimeve dhe tre humbjeve që ka Liverpool-i. Të dy ekipet, janë ekipet me më pak humbje në Premier Ligë, pas Manchester City-t, me dy humbje.

Gjashtë ndeshjet e fundit si ekip pritës, Tottenham-i numëron katër fitore, një humbje dhe një barazim. Për Liverpool-in si ekip udhëtues në gjashtë ndeshjet e fundit janë dy fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Mourinho pritet të luaj me 4-2-3-1, në portë Lloris, në mbrojtje Reguilon, Dier, Sanchez dhe Aurier, në mesfushë Winks dhe Hojbjerg, treshja para mesfushës Son, Ndombele dhe Bergwijn, në sulm i vetëm Kane.

Klopp-i pritet të luaj me 4-3-3, në portë Alisson, në mbrojtje Robertson, Fabinho, Matip dhe Arnold, në mesfushë Wijnaldum, Alcantara dhe Henderson, në sulm treshja Mane, Firmino dhe Salah.

Para ndeshjes kanë folur të dy teknikët. Mourinho përsëri ka tërhequr vëmendjen mediatike me deklaratën e tij.

“Nuk jam mik i Jurgen-it”- ka thënë Mourinho. “Nuk jam mik i Jurgen-it, sepse nuk kam kaluar kohë me Jurgen-in. Kur e njeh mirë personin, mund të thuash: ‘Më pëlqen, ai është shoku im’ ose ‘Nuk më pëlqen, nuk është shoku im’”- tha 58-vjeçari.

Mourinho ka folur dhe rreth përballjes së fundit me gjermanin Klopp.

“Ajo që mund të them është kur nuk u solla mirë e pagova çmimin. Dhe unë e pagova çmimin në dy mënyra, njëra ishte të shikoja ndeshjet në TV nga dhomat e zhveshjes dhe çmimi tjetër ishte, gjoba e majme, që unë mendoj që për disa të tjerë nuk ndodh njësoj”.

Pavarësisht deklaratave, portugezi e pranoi respektin për Klopp-in. Për ndeshjen, Mourinho la të nënkuptohej se ekipi i tij vuan nga dëmtimet, por pa bërë publik emrat e lojtarëve.

Tekniku shtoi se tre ndeshje në një javë, janë shumë dhe ndikojnë te lojtarët. Sipas 58-vjeçarit, në ndeshje të caktuara nuk mund të lihen pushim lojtarët e mirë sepse potenciali i ekipit zvogëlohet.

Tekniku i Liverpool-it Klopp-i pohoi për mediat se “shpirti luftarak” i Liverpool-it do të jetë çelsi në këtë ndeshje.

“Jemi në një moment të vëshitrë. Do të qëndrojmë në rrugën e duhur. Do të jemi pozitiv ndaj gjërave pozitive dhe kritik ndaj gjërave të këqija”- tha gjermani.

“Jemi gati për një luftë nesër në mbrëmje (të enjten). Ku do të na çojë, nuk e di. Unë i shoh lojtarët duke u përpjekur dhe duke punuar si ekip. Kjo është një lojë komplekse. Arsyeja kryesore që unë e dua këtë lojë është se ne mund të fitojmë pa qenë të përsosur”-ka vazhduar Klopp-i.

Në Premier Ligë (që nga koha e ndryshimit të emrit të ligës), të dy ekipet kanë 57 përballje. Për Tottenham-in janë 14 fitore, 15 ndeshje janë ndarë në barazim dhe 28 fitore në favor të Liverpool-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore