Zgjedhjet në Kosovë

Totaj si kryetar në ardhje: Do të implementojë pjesën më të madhe të premtimeve


Shaqir Totaj

Votat e hedhura në kutitë e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën e 14 nëntorit në Komunën e Prizrenit fitues e nxorën, kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Totaj me një diferencë prej 1 mijë e 75 vota e la pas kundër kandidatin e tij dhe njëherësh kryetarin në ikje të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.

Ishin Zgjedhjet Lokale të vitit 2017 ato që e thyen 8 vjetët e qeverisjes së PDK-së në këtë komunë.

Megjithatë Lëvizja Vetëvendosje mundi ta udhëheq Prizrenin vetëm për një mandat.

Kështu katër vite opozitarizëm mundësoj që Totaj ta rikthejë Prizrenin si bastion i PDK-së.

Një ditë pas zgjedhjeve nacionale, kryetari në ardhje, gjatë një prononcimi për mediat lokale, ka komentuar rezultatet e 14 nëntorit.

Sipas Totaj, rezultati në favor të tij ka ardhur pasi që qytetarët e komunës së Prizrenit e kanë identifikuar nevojën për ndryshim.

“Gjithsesi edhe partnerët e koalicionit e kanë luajtur rolin e tyre, sidomos një numër i madh i votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët e kanë parë se me të vërtet këtij qyteti i duhet një ndryshim, i duhet një vizion i ri”, ka thënë Totaj.

Mytaher Haskuka dhe Shaqir Totaj

Ai ka bërë të ditur se tashmë si kryetar në ardhje, do të implementojë një pjesë të madhe të premtimeve të dhëna gjatë kohës së fushatës.

“Premtimet gjatë fushatës elektorale kanë qenë premtime reale, të cilat mund të realizohen, nëse jo të gjitha por një pjesë të madhe të premtimeve do t’i implementojnë. Do të jem gjithëpërfshirës jo vetëm një partiak, do të punojë për të ardhmen e qytetit tonë”, ka shtuar ai.

Totaj, më tej ka potencuar se nuk ka pranuar ende urimin e fitores nga kundër kandidati i tij.

“Është për të ardhur keq mendoj që një person i civilizuar duhet të merr guximin dhe të urojë kundër kandidatin, ne kemi pas një garë të fortë por megjithatë gara ka qenë korrekte nuk ka pasur ofendime”

“Transparenca dhe llogaridhënia si dhe fleksibiliteti i madhe në mirëkuptim dhe ngurtësi sa i përket respektimit të ligjit, këto do të jenë tiparet që do të më dallojnë mua nga kryetari i deri tanishëm i komunës së Prizrenit”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore