Gatimi

Tortë role, sa e thjeshtë dhe e mirë


Gatimi për disa është pasion e për disa të tjerë stres më vete. Por për të gjithë ata që gatimi nuk është arma e tyre më e fortë, këtu kemi një recetë të ëmbël dhe të lehtë.

Përbërësit

Përbërësit për pandispanjën:  100 gr miell (4 luge gjelle plot), 100 gr sheqer (7 luge gjelle sheqer), 5 vezë 1/2 filxhan kafe vaj, 1 bustinë sheqer vanilje (10 gr), 1 bustinë pluhur pjekje (peciv ose 1 luge caji sodë buke).

Përbërësit për kremin: 200 ml pana, 400 gr mascarpone, 10 gr sheqer vanilje, sheqer (me dëshirë).

Përgatitja

Në fillim ndajmë të bardhat dhe të verdhat e vezëve. Të bardhat i rrahim përreth 15 minuta duke shtuar pak nga pak sheqerin deri sa bëhen si krem.

Fillojmë shtojmë të verdhat e vezës një nga një duke i rrahur gjithë kohën me rrahëse elektrike. Shtojmë miellin duke e situr pak nga pak. Shtojmë vajin, sheqerin e vaniljes dhe pluhurin pjekës (peciv ose sode buke).

Masën e kalojmë në një tavë katrore me letër pjeke të lyer me pak vaj. E pjekim në 180 gradë për 20 minuta. Furra si gjithmonë kur bëjmë ëmbëlsira duhet të jetë e ndezur më parë.

Më pas merremi me përgatitjen e kremit. Rrahim mascarponen. Në një enë tjetër rrahim panën për 10 minuta deri sa bëhet krem. I bashkojmë dhe i rrahim të dyja. Shtojmë edhe sheqerin e vaniljes.

Në fund kremin mund ta provoni nëse e doni që të jetë më i ëmbël i shtoni sheqer. Nëse kremin se doni me vanilje mund ta bëni me kakao ose shije tjetër reçeli.

Kur pandispanja bëhet e lejmë të ftohet pak dhe më pas e kthejmë përmbys mbi një letër pjekje. Ia heqim me kujdes letrën e pjekjes. E kthejmë nga ana tjetër dhe shtrojmë mbi të kremin. E përhapim në të gjithë pandispanjën.

Sipas dëshirës mund ti hidhni pak reçel ose luleshtrydhe të grira. E mbledhim role dhe e fusim në frigorifer për të paktën 3-4 orë.

Sigurisht, mund t’i shtoni çdo lloji fruti të stinës për dekor dhe për ta konsumuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore