Shqipëria

Tonino Picula, reporteri i ri i PE-së për zgjerimin e BE-së


Tonino Picula, reporteri i ri i PE-së për zgjerimin e BE-së

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, ku vëmendja kryesore e viteve të fundit është përqendruar në Ballkanin Perëndimor, do të raportohet në Parlamentin Evropian nga vetë një ballkanas, Tonino Picula, eurodeputeti kroat, i cili është caktuar së fundmi si reporteri i ri i Parlamentit Evropian për zgjerimin e unionit.

Detyra e tij do të jetë ajo e formulimit të një propozimi për strategjinë e re të zgjerimit në BE, e cila do të duhet më pas të adoptohet nga PE-ja dhe të dërgohet në Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian si edhe në zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit të Piculas, duke ravijëzuar rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje.

Pas caktimit të tij në këtë rol me rëndësi të veçantë për rajonin nga ai vetë vjen, Picula theksoi se propozimi fuqizon qartësisht vlerën e politikave të zgjerimit, si një pjesë strategjike e investimit në sigurinë dhe prosperitetit të Evropës.

Po ashtu, ai nënvizoi edhe faktin se pikërisht kjo politikë zgjerimi, ka filluar të japë rezultate të qartë në sigurinë e paqes në disa rajone, të cilat më parë kanë qenë në luftë.

“Zgjerimi është instrumenti më i efektshëm i politikës së jashtme evropiane”, vijoi më tej ai. “Kjo gjë është me shumë rëndësi edhe për Kroacinë, nga unë vij, sepse për sa kohë nuk i kemi fqinjët tanë si pjesë e BE-së, nuk do ta kemi të mundur të shfrytëzojmë e të përdorim plotësisht gjithë benefitet e anëtarësimit”.

Sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut konkretisht, Picula zgjeroi mendimin e tij, duke thënë se “duhet të njihen meritat e arritjeve të këtyre dy shteteve në Ballkanin Perëndimor”.

Mënyra se si ato duhet të njihen, është duke hapur zyrtarisht procesin e negociatave me të dyja.

Sa i përket Kosovës, ai po ashtu theksoi se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë menjëherë dhe pa pasur shtyrje në afate.

Mbi Bosnjë dhe Hercegovinën, Picula deklaroi se duhet të shtyhet përpara për hapjen e negociatave.

Ndërsa, këto të fundit, duhet të shtyhen përpara me Malin e Zi, si shtetin më të avancuar në bisedime prej rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore