Kosova

Tomas Szunyog, nga Mitrovica e Veriut: Energjia elektrike duhet të paguhet nga të gjithë qytetarët e Kosovës


Tomas Szunyog, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë vizitës në Mitrovicën Veriore ka bërë të ditur se energjia elektrike duhet paguar nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sipas tij pagesa e rrymës elektrike është një çështje normale, pasi që pagesa e tatimit është obligim i çdo qytetari.

Szunyog, përveç tjerash ka deklaruar se zyra e BE-së në Kosovë është duke punuar me të dy palët për ta zgjidhur problemin e energjisë elektrike në Kosovë.

“Sa i përket energjisë elektrike, mendoj që është mirë të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme sa më parë të jetë e mundur, e cila në njërën anë do të siguronte furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe në anën tjetër të paguhet për të sepse kjo është diçka krejt normale për njerëzit që t’i përmbushin obligimet tatimore, ne po punojmë me të gjitha palët që ta arrijmë këtë zgjidhje dhe besoj se jemi në rrugën e duhur”, ka deklaruar ai.

Me gjashtë majë të këtij viti Kuvendi i Kosovës kishte miratuar me 61 vota pro rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e ‘NP KOSTT’ për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) kishte hyrë në obligime financiare prej 11 milionë eurosh për prodhim të energjisë në veri të Mitrovicës.

Qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës Leposaviqi, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Ambasadori Tomas Szunyog, gjatë ditës së hënë ka vizituar Mitrovicën Veriore me çrrastë ka shpërndarë tetë kamion për grumbullimin e mbeturinave.

Kamionët në fjalë kanë kushtuar 700 mijë euro dhe janë financuar nga ana e BE-së si pjesë e projektit për menaxhimin e mbeturinave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore