Lajme

Tokyo/ 10 “gra të lumtura” plagosen me thikë


Një burrë ka sulmuar pasagjeret e një treni në Tokyo, duke lënë të plagosura 10 prej tyre. Arsyeja? “Gratë e lumtura”!

36-vjeçari raportohet se është inatosur së tepërmi kur pa se vajzat dhe gratë “dukeshin të lumtura” dhe kërkoi t’i vriste ato.

Një prej viktimave, studente, raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa nëntë të tjerat, janë lënduar lehtë.

Krime të tilla të dhunshme janë të rralla në Japoni. Mbi të gjitha, në një kohë kaq delikate kur po zhvillohen lojërat Olimpike në Tokyo.

Mirëpo treni, i cili po i drejtohej stacionit të Seijogakuen-it, u përfshi në këtë krim, në kufijtë e makabres.

Drejtuesi i mjetit e ndaloi menjëherë atë, pasi dëgjoi zhurma nga vagonët. Sipas dëshmitarëve, autori i ngjarjes doli menjëherë nga dritarja e një vagoni dhe mori arratinë.

Ishte vetëm pak çaste më pas, kur ai u fut në një dyqan dhe i tha stafit aty se kishte kryer krimin dhe ishte i lodhur nga arratia.

Policia e Tokyo-s u njoftua menjëherë mbi këtë ngjarje dhe kapja e autorit u bë e mundur. Prej 10 të plagosurave, nëntë morën ndihmë spitalore ndërsa njëra nuk pati nevojë.

Krimi i tillë i fundit daton në vitin 2019, kur disa fëmijë që po prisnin autobusin e shkollës u sulmuan nga një person. Në atë kohë, dy prej tyre u vranë dhe 18 u plagosën.

Këtë herë fatmirësisht, nuk pati viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore