Shqipëria

Tjetërsimi i pronave në Shëngjin, Apeli i GJKKO-së lë në burg motrën dhe vëllain e ish-deputetit Ndoka


Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të premten e 15 prillit, ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për shtetasit që tjetërsuan pronat në bregdetin e Shëngjinit – mes tyre vëllai dhe motra e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka.

Sipas vendimit është konfiskuar një pasuri me vlerë prej 55 milionë euro për tjetërsimin e 300 mijë metrave katrorë, të cilat ishin të ndara në 75 pasuri të ndryshme.

Xhevi Ndoka ishte dënuar nga GJKKO-ja me gjashtë vite e tetë muaj burg, ndërsa Apeli vendosi dhjetë vite burgim – që do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Mimoza Ndoka nga një vit e katër muaj, me kusht që ishte, iu shtua në pesë vite e katër muaj burgim. Ajo do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së Lartë.

Të pandehurit e tjerë

Emanuel Gjura ishte dënuar me katër vite e tetë muaj burg dhe do të vuajë një dënim prej gjashtë vitesh burgim,

Zef Lazri nga tetë muaj burg, dënohet me katër vjet e tetë  muaj burgim.

Blendi Ndoka nga tre 3 vite e gjashtë muaj burg, dënohet me gjashtë vite e tetë muaj burgim.

Të tre do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Luigj Paloka nga katër vite e tetë muaj burg, me kusht, do të vuajë në një burg të zakonshëm pesë vite.

Arben Ndoka

Paulin Simonit iu shtua katë muaj më tepër burg. Konkretisht do të vuajë tre vjet e tetë muaj burgim.

Vlash Gaxulli do të vuajë dy vjet e tetë muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Genc Zeneli u dënua me dy vite e katër muaj burgim. Kol Lleshi ishte dy vite burg, me kusht, dhe dënohet me dy vjet e katër muaj burgim. Të dy dënim i shtuar.

Marjeta Përskura u dënua me një vit e tetë muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Si nisën hetimet

Kujtojmë se hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

Në vrazhdën e arrestimeve për këtë çështje është dënuar nga Gjykata e Lezhës me katër vite burg edhe ish-kryetari i bashkisë së Lezhës i Partisë Demokratike, Fran Frrokaj.

Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, përfshirë edhe ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.

Sakaq Prokuroria zbuloi se kjo sipërfaqe e madhe toke ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet tokat janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë ‘Arë’ dhe ‘Pemtore’”.

Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Më 1 prill  të vitit të shkuar Gjykata e Lezhës vendosi pushimin e çështjes për Ndokën pasi nuk e provonte përfshirjen e tij në këtë vepër penale.

Ndoka u arrestua në tetor të vitit 2018, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore