Shqipëria

Tiranë: Zbardhen 12 vjedhje banesash dhe biznesesh, 4 të arrestuar


Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor “Shtegtarët”, duke arrestuar katër shtetas në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Përkatësisht janë arrestuar shtetasit B. A., 27 vjeç; L. H., 24 vjeç dhe A. F., 31 vjeç – të tre të dënuar më parë për vjedhje – dhe K. L., 17 vjeç.

I mituri banues në Kombinat, akuzohet për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Këta katër shtetas janë arrestuar në kushtet e flagrancës, gjatë kohës që ishin duke vjedhur në një farmaci në rrugën “Petraq Leka”, në Kombinat.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, shtetasi F. L., 29 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 11 rasteve të vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet, një granatë (e gjetur në banesën e shtetasit K. L.), mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, një biçikletë, katër piktura, një sasi parash dhe një mjet prerës për lëndë drusore.

Ndërkaq vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të shpallur në kërkim, si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore