Shqipëria

Tiranë: Tre në pranga për plagosjen me eksploziv në Kamzë


Policia e Shtetit ka lajmëruar se, janë vendosur në pranga tre autorët që plagosën me eksploziv një  shtetas në lagjen Kamzë, në  qytetin e Tiranës.

Tre të arrestuarit janë, Gj.C, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale ‘Rrëmbim personi’, Vrasje me paramendim’, ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’.

E.J, 33 vjec, dhe E.J, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat e ”Vrasjes me paramendim e mbetur në tentative dhe e kryer në bashkëpunim”,  “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”,  “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin ‘SATELITI’”, ka shkruar Policia.

Ngjarja ka ndodhur në datën 2 shkurt të këtij viti, në rrugën “Silvio Berlusconi”, Kamzë. Ndaj shtetasit me iniciale Gj.M. u krye një  atentat me eksploziv të telekomanduar.

Si pasojë e sulmit, Gj.M. u dëmtua në gjymturë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Janë sekuestruar gjithashtu, prova materiale, automjete dhe sende të tjera, si pjesë  e provave të  hetimit, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale.

Materialet në ngarkim i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë për veprimet e mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore