Shqipëria

Tiranë-Elbasan, aksi që i heq patentën shoferëve


Rruga interurbane Tiranë-Elbasan është kthyer në një makth të vërtetë për drejtuesit e mjeteve, pasi rregullisht ata bien në tundimin e shpejtësisë së lartë dhe rrjedhimisht, për shkak të kontrolleve të shumta që kryhen rregullisht nga Policia e Shtetit, “bien pre” e radarit.

Dhjetë drejtuesve të tjerë i është pezulluar leja e drejtimit gjatë mbrëmjes së 25 shtatorit. Me shpejtësi që varionin nga 130 deri në 161 kilometra në orë, këta drejtues nuk i kanë shpëtuar radarit.

Pezullimi i patentave është shoqëruar edhe me masa administrative, nga 7 mijë deri në 20 mijë lekë.

Po ashtu, janë marrë 14 masa administrative për drejtues të tjerë. Ata drejtonin mjetin me shpejtësi më të ulët, por sërish mbi normat.

Kontrollet kanë vijuar edhe në kryeqytet, për të parandaluar drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit. Nëntë drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit për ngarje mjete në gjendje të dehur. 15 të tjerëve, u është vendosur vetëm masë administrative.

Ndërsa apeli, vijon të mbetet po i njëjtë për parandalimin e aksidenteve rrugore. Kushtet kryesore, janë respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe përgjegjshmëria në timon.

Kontrolle janë zhvilluar në gjithë vendin edhe nëpërmjet dronëve, për të shmangur parregullsitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore