Përballje

Tirana udhëton në Korçë, Vllaznia pret Laçin


Vazhdon sot java e dhjetë në Abissnet Kategorinë Superiore.

Me fitoren dramatike të Partizanit përballë kampionëve të Teutës, u hap një javë që premton të jetë spektakolare.

Sot, në program janë edhe dy ndeshje tjera.

Tirana udhëton në Korçë, në kërkim që të këndellet pas humbjes së parë sezonale.

Një javë më parë, bardheblutë u mposhtën nga Kukësi në sekondat e fundit të takimit, duke e prishur ecurinë pa humbje.

Sot, ata udhëtojnë te Skënderbeu, i cili ka gjetur pak formë me një fitore dhe barazim në dy ndeshjet e fundit.

Skënderbeu pret Tiranën dhe kërkon që me një befasi të shkëputet pak nga zona e ftohtë, kurse kryeqytetasit kërkojnë që me një tre pikësh të mbajnë epërsinë komode përballë Kukësit, dhe të largohen edhe më shumë nga Teuta.

Kjo ndeshje e çel ditën, dhe fillon në orën 16:45.

Tre orë më vonë, me fillim në 19:45, ndizen dritat e “Loro Boriçit” në Shkodër.

Vllaznia me 13 pikë, pret Laçin e ringjallur me 12 pikë.

Shkodranët vijnë në këtë ndeshje pas fitores kundër Kastriotit, kurse Laçi pas barazimit ndaj Partizanit dhe tri fitoreve me radhë para atij takimi.

Një fitore sonte do ta ngjiste Laçin në vendin e tretë, derisa Vllaznia me fitore do mbetet aty ku është, pra edhe ajo në të tretin.

Dy ndeshjet e sotme premtojnë spektakël, me javën e dhjetë që do të mbyllet nesër me dy ndeshje tjera që janë në program.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore