Përballje

Tirana rikthehet te fitorja, Laçi dhe Vllaznia ndahen në barazim


Kampioni në fuqi i Shqipërisë, Tirana, është rikthyer te fitorja, teksa në ndeshjen e javës së tetë në Abissnet Superiore, ka triumfuar në udhëtim te Bylis me rezultat 0:1.

Bardheblutë vuajtën në këtë takim, megjithatë ia dolën të merrnin pikët e plota falë një goli të Florent Hasanit në pjesën e dytë të lojës.

Bylis u mundua të reagonte, por kryeqytetasit rezistuan dhe morën te pikët shumë të rëndësishme.

Falë këtij suksesi, Tirana rikthehet në krye të tabelës edhe pse me pikë të barabarta me Partizanin (15) teksa të kuqtë kanë një ndeshje më pak.

Ndërsa ana tjetër, Bylis mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e javës së tetë, ajo mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në barazim 1:1.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 53-të me anë të Akinyemi, megjithatë shkodranët rikthyen baraspeshën në minutën e 67-të falë golit të Herald Markut.

Kështu, u mbyll në barazim sfida në Laç, teksa skuadrat ndanë nga një pikë.

Laçi mbetet në vendin e fundit të renditjes me pesë pikë, ndërsa nga ana tjetër, shkodranët shkojnë në tre ndeshje pa fitore dhe mbeten në vendin e pestë me 11 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore