Sport

Tirana me hap të madh për titullin, shpartallon Kukësin


Tirana ka arritur një fitore të madhë, edhe me rezultat, por edhe në garën për titull.

Bardheblutë ishin sot vendas të Kukësit në “Air Albania”, në takimin e vlefshëm për javën e 18-të Abissnet Kategorisë Superiore.

Ndeshja, të paktën në letër, pritej të ishte e barabartë dhe shumë e luftuar.

Mirëpo kryeqytetasit duket se kishin plan tjetër, të paktën pas minutës së 38-të në takim.

Serinë e golave e hapi Taulant Seferi, kurse goditjen e madhe Kukësit para përfundimit të pjesës së parë, ia dha Redon Xhixha.

Siç ishte e para, ishte edhe e dyta.

Redon Xhixha ishte ai që pak pas mbylljes së një ore lojë, i qetësoi zemrat e tifozëve duke shënuar për 3-0.

Xhixha nuk mund të ishte i vetmi me dy gola në këtë takim, andaj Seferi shënoi edhe njëherë, pak sekonda para se të mbyllej takimi.

Në fund, Tirana 4-0 Kukësi, në një ndeshje që me shumë mundësi do të shërbejë si motiv shtesë në rrugën për titull për bardheblutë.

Pas 18 ndeshjesh, Tirana ka 40 pikë e vetmuar në krye, kurse Kukësi mbetet në vendin e tretë me 31 pikë.

Laçi ka mundësi të hënën që me një tre pikësh përballë Partizanit në Kurbin të mbajë distancën me gjashtë pikë nga Tirana.

Përveç Laçi – Partizani, nesër zhvillohen edhe Egnatia – Dinamo, Skënderbeu – Teuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore