Shqipëria

Tirana, më e shtrenjtë se Prishtinë-Shkup


Gjatë këtij viti, sipas disa agjencive imobiliare në kryeqytet, ka pasur një ulje të kërkesës për të marrë shtëpi me qira në kryeqytet.

Për Albanian Post, agjencitë pohojnë se personat, të cilët u drejtohen kryesisht agjencive imobiliare në vendin tonë janë të huajt. Por, për shkak të pandemisë, numri i këtyre shtetasve që kërkojnë të marrin një shtëpi në Tiranë është ulur ndjeshëm.

“Këtë vit kemi vënë re një rënie të kërkesës për të marrë shtëpi me qira”, thotë Eduard Borri nga Agjencia Imobiliare, Century 21.

Një tjetër agjent imobiliar pohon të njëjtën gjë për Albanian Post.

“Nuk është se kemi ndonjë numër shumë të madh kërkesash, duke qenë se janë shtetasit e huaj ata që u drejtohen agjencive imobiliare. Ka një shtim të kërkesës, por jo shumë të madh, në krahasim me vitet e kaluara”, shpjegon Florian Pelivani nga agjencia imobiliare, Remax.

Muajt, që agjencitë hasin një rritje të kërkesës, janë shtatori dhe janari. “Muaji shtator për shkak se përkon me fillimin e shkollave, universiteteve, si dhe me rikthimin në punë pas pushimeve. Këto dy muaj dallojnë si dy muajt që kanë më shumë kërkesë”.

Sipas agjencive, grupmosha që shfaq kërkesë për të marrë shtëpi me qira varion nga 22 vjeç deri 35 vjeç.

Ekspertët saktësojnë se tregu imobiliar është prekur nga dy goditje të njëpasnjëshme. Fillimisht nga tërmeti dhe, më pas, prej pandemisë.

Disa agjenci pasurish të paluajtshme pranojnë se ka pasur një rritje të çmimit të qirasë që pas tërmetit të 26 nëntorit. Ekspertët e tregut thonë se kërkesat e qytetarëve kanë ndryshuar që pas goditjes që mori tregu imobiliar në vitin 2019.

Pas tërmetit, duket se qytetarët janë më të orientuar drejt pallateve të reja apo vilave në periferi të kryeqytetit.

Alberto Mandreca nga Century 21 thotë se edhe “pandemia ka ndikuar në uljen e numrit të kërkesave për qira nga të huajt apo studentët”.

“Çmimet aktualisht kanë shënuar një rënie të lehtë, duke pasur parasysh mungesën e kërkesës”.

Sikurse Alberto shpjegon “vazhdojnë të jenë disa zona që vazhdojnë t’i mbajnë çmimet konstante, sikurse është zona e Liqenit, Rezidenca Kodra e Diellit 1-2 dhe zona pranë kompleksit Delijorgji”.

Zonat më të shtrenjta mbeten zonat e liceut artistik, pjesa e ish-bllokut, liqeni artificial i Tiranës, zona e Liqenit të Thatë dhe Komuna e Parisit.

Sipas të dhënave nga disa agjenci imobiliare, apartamentet me hapësirë banimi 1+1, kanë një çmim mesatar rreth 250 deri në 350 euro. Duke konsultuar faqet, në të cilat shfaqen njoftimet për shtëpi me qira në vend, vihet re se çmimet në zonat në qendër variojnë nga 350 euro deri në 500 euro. Ndërkohë që në zonat elitare, si ish-blloku, vërehet se çmimi varion nga 500 deri 800 euro.

Sipas Numbeo.com, portalit më të madh në botë, që merret me të dhënat mbi kostot e jetesës, treguesit e banesave, trafikut, krimit dhe ndotjes, një apartament me qira me hapësirë banimi 1+1 në Tiranë, në qendër kushton mesatarisht 300 euro. Ndërkohë që në Prishtinë kushton rreth 260 euro.

Sipas Numbeo-s, një apartament me qira në qendër të Tiranës kushton 14,39% më shumë se në Prishtinë. Në krahasim me Shkupin, një apartament me qira në qendër është 19.70 % më i shtrenjtë.

Duke marrë parasysh që paga minimale mujore në vendin tonë është 30 mijë lekë dhe që paga mesatare mujore bruto, sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, për tremujorin e tretë, të vitit 2020 është rreth 530 mijë lekë, çmimet e apartamenteve në Tiranë mbeten të larta, për të mos thënë të papërballueshme për një shtresë të popullsisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore