Jetesë & Stil

Tirana, kryeqyteti i të dashuruarve


Dita e Shën Valentinit e njohur ndryshe si festa e të dashuruarve festohet edhe në Shqipëri më 14 shkurt. Në 24 vitet e fundit dita e Shën Valentinit, pas rrëzimit të regjimit komunist është festuar në Shqipëri kryesisht nga çiftet e reja.

Por vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për ne. Disa prej tyre preferojnë të bëjnë dhurata të ndryshme, si lule, kartolina urimi, bizhuteri, kafshë shtëpiake, etj. Disa preferojnë të drekojnë në vende të veçanta dhe disa të tjerë tregohen edhe indiferentë ndaj kësaj dite.

Në fillim nisi si një festë krejtësisht rinore, të paktën kështu e cilësonin “të rriturit”, por pak nga pak  të gjithë u mësuan me idenë se të festuarit Shën Valentinin nuk do të thotë medoemos të bëni namin në dashuri, por të falënderoni partnerin për gjithçka ka bërë për të krijuar një stabilitet në marrëdhënien tuaj.

Kjo ditë është një nga ngjarjet më të mëdha gjatë muajit shkurt në Tiranë. Ndaj çiftet merrni ditën pushim dhe shkonin te Liqeni Artificial i Tiranës, qëndronin pranë tij dhe shkëmbenin puthje përqafime pa harruar dhe dhuratën kryesore që ishin lulet. Kjo traditë ndryshoi me kalimin e kohës dhe në ditët e sotme festohet në mënyrë romantike në një hotel të veçantë apo në një restorant ku aty shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin.

Bashkia e Tiranës duket sikur e ka kthyer në rutinë, zbukurimin e kryeqytetit në këtë ditë. Të gjithë të apasionuarit pas detajeve do të gjejnë hapësirë për foto në Sheshin Skënderbej, ku sfondi mbizotërohet nga fjala ikonë e dashurisë “Të dua”. Po ashtu dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit, në këto ditë duket shumë ndryshe. Dashuria është në ajër…

Megjithëse ditët janë me shi, kjo nuk i ka penguar njerëzit që prej ditësh të drejtohen drejt sheshit për të bërë foto. Mesa duket dashuria e kryeqytetasve e ka mposhtur motin e zymtë.

E në këtë rast ne na mbetet t’ju themi, dashuroni sa më shumë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore