Shqipëria

Tirana “faqebardhë”, pas finales së Conference League


Detyrë e përmbushur për Federatën e Futbollit Shqiptar, Qeverinë, Bashkinë e Tiranës dhe shumë aktorë organizativë të finales së parë të Conference League, si para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Stadiumi “Air Albania” – me një kapacitet prej 22 mijë ulësesh – “u pushtua” mbrëmjen e djeshme nga tifozë të ekipit holandez Feyenoord dhe skuadrës italiane Roma, personalitete, si dhe figura të politikës shqiptare.

Tashmë ai ia la stafetën një stadiumi, edhe më të vogël, “Eden Arena” në Pragë, i cili është caktuar si mikpritësi i finales së radhës në vitit 2023.

Përgjatë dy ditëve, 24-25 maj, mijëra tifozë futbolli vizituan kryeqytetin shqiptar.

Më shumë se 300 fluturime u regjistruan në Aeroporti Ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza” – numri më i lartë i fluturimeve që ka menaxhuar ndonjëherë aeroporti.

“Nga toka, ajri dhe deti”

Përveç fluturimeve, tifozët zbarkuan në Tiranë edhe nga porti i Durrësit, pikat kufitare me Kosovën, apo edhe ato me Malin e Zi.

Pavarësisht se çdo klubi iu ndanë vetëm 4 mijë bileta për finalen inauguruese të turneut evropian të nivelit të tretë, mbi 50 mijë tifozë ndodheshin në Tiranë për të mbështetur skuadrën e zemrës.

24 orë para festës

Ndonëse u luajt ditën e mërkurë më 25 maj, festa për tifozët nisi që të hënën e 23 majit.

Si Feyenoord, ashtu edhe Roma, janë klube të njohura me numër të konsiderueshëm tifozësh.

Mbështetësit e tyre u mblodhën në “zona tifozësh”, të ndara rreth një kilometër larg njëri-tjetrit.

Kështu, incidentet ishin të pashmangshme dhe kërkuan ndërhyrjen e Policisë.

Përplasjet u lanë pas dhe u harruan ditën e ndeshjes, kur tifozët vendosën të shijonin finalen.

Kryeqyteti mëngjesin e sotëm u zgjua dhe e vetmja gjurmë e finales – ku fitoi Roma – janë banderolat e vendosura në mure dhe imazhi që la pas.

Kompeticion i ri – hall i vjetër

Për analistin Skënder Minxhozi, finalja ishte një sukses dhe kush nuk e pranon, thjesht gënjen veten dhe të tjerët.

“Ajo që shihej si një sfidë e madhe sportive, logjistike e njerëzore, rezultoi në një spot të shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë në botë. Një vend i vogël, një stadium i vogël, por një event i madh sportiv që i bëri nder Federatës Shqiptare të Futbollit, qytetit të Tiranës, policisë e institucioneve të shtetit e biznesit privat”.

Minxhozi thekson se, është kaluar çdo sfidë në të cilën mund të kishin ndodhur probleme, përplasje, çorganizim e kaos.

Kjo pasi ne jemi “të pamësuar që të presim dhjetëra mijëra tifozë të huaj brenda 48 orësh dhe t’i përballojmë ata me infrastrukturat e brishta që kemi”.

Por, në fund të ditës, gjithçka “shkoi mirë dhe kjo na bën të ndihemi të qetë, teksa shohim dorëzimin e kupës në duart e Murinjos, në një stadium ku ekipi i fundit i madh që zbriti (me Ronaldon në krye) duroi ndër të tjera edhe fikjen e dritave në mes të ndeshjes”.

I të njëjtit mendim është edhe gazetari dhe moderatori sportiv, Drilon Xhepollari.

Ai e ka cilësuar finalen si një ngjarje të jashtëzakonshme, që i dha një tjetër impuls sportit shqiptar.

“Ndikon në imazhin e Shqipërisë dhe i jep një tjetër impuls futbollit shqiptar, por edhe vendit e turizmit. Kjo sepse shumë turistë ishin prezentë, për të parë shijuar Tiranën”, tha ai në një prononcim për Albanian Post.

Po, përtej një finaleje futbolli, e cila është një ngjarje e jashtëzakonshme, Minxhozi sjell edhe njëherë në vëmendje mësimin që “morëm nga kjo ndeshje dyorëshe”.

“Të shkosh sot nga veriu në jug duke kaluar nëpër nyjën Tiranë-Durrës vijon të jetë një sfidë për udhëtarët, turistët e bizneset. Duhet të bësh pirueta nëpër rrugë, kryqëzime e segmente të ngarkuara rëndë me trafik, të cilat kushtojnë të gjitha kohë, karburant e goma”, shkruan ai.

Për të, edhe pse në tri dekadat e fundit kemi ndërtuar një rrjet superstradash e autostradash jo të këqija drejt jugut, kur vjen puna tek lidhja e tyre me gjysmën tjetër të vendit, “sharra ngec në gozhdë pikërisht aty ku duhet të ishte investuar më shumë në transport e komunikim: në pellgun Tiranë-Durrës”.

Ashtu siç thotë edhe Minxhozi, këto halle të vjetra, për fat, nuk e penguan dot finalen dhe përfitimet që ajo solli.

Impakti në ekonomi

Çdo cep i Tiranës sot ishte i pastruar, duke lënë pas fluksin gjigant të konsumit, ku kioskat dhe dyqanet në cepin e rrugës të ofronin një pamje nga ajo e zakonshmja.

Ato dukeshin gati të boshatisura nga kërkesa e lartë që patën një ditë më parë.

E ndërsa janë të vendosura në fundin e zinxhirit, një kategori tjetër e bizneseve private që përfitoi shuma marramendëse nga ky event ishin pronarët e hoteleve dhe vendeve të tjera akomoduese.

Çmimet e tyre disa javë para ndeshjes ishin shtuar me 300%.

Në një hulumtim të bërë nga Albanian Post, ditën e finales në Tiranë shumica e hoteleve ishin të rezervuara.

Xhepollari tregon se si në intervistat e zhvilluar me tifozët holandezë, ata nga çmimet kishin vendosur të merrnin banesa me qira në periferi të Tiranës, madje dhe në Elbasan.

Zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Fatjon Kodra, tha se impakti në ekonominë shqiptare do të jetë i konsiderueshëm.

Me një përllogaritje – sipas tij – pritet të ketë një impakt rreth 140 milionë euro në total përgjatë gjithë atyre ditëve.

Përfitimet monetare nuk ishin të vetmet efekte të kësaj finale.

Fitore mbi skepticimzin

Edhe pse pati skepticizën në emërimin, vendimmarrjen që finalja e Conference League të jetë në Tiranë, duket se ajo e ka kryer misionin e saj.

Craig Turp-Balazs, kryeredaktori i “Emerging Europe”, shkruan se pak qytete në Evropën në zhvillim kanë ndryshuar aq shumë gjatë tri dekadave të fundit sa kryeqyteti shqiptar Tirana.

“Roma luajti me Feyenoord në një tjetër nga projektet e super rinovimit urban të Tiranës të përfunduar së fundmi: stadiumin kombëtar të vendit, i hapur në vitin 2019 me një ndeshje mes kombëtares shqiptare dhe asaj franceze”, shprehet ai.

Kritika e vetme për stadiumin ishte madhësia e tij, ku tifozë të shumtë u shprehën se ngëlën pa një biletë.

Por edhe për këtë, Xhepollari ka një arsyetim.

“Do të ishte mirë sikur ky stadium të ishte pak më tepër vende, megjithatë nuk mendoj se kemi nevojë për një stadium tjetër më të madh, sepse ne kaq tifozë kemi”, tha ai, duke shtuar se mirë do të ishte të ndërtohej një stadium i tillë në një qytet tjetër.

Conference League nuk është kompeticioni më i rëndësishëm në Evropë, por mori këtë rëndësi sepse për herë të parë u organizua për herë të parë në Shqipëri.

Mediat botërore kanë shkruar se, pas këtij organizmi, Shqipërisë mund t’i besohen edhe kompeticione të tjera.

Edhe gazetari Xhepollari thekson se vendi mund të jetë në vëmendje të UEFA-s, nëse do të lobohet fort.

Kështu, përmbyllin ekspertët, Shqipëria e përmbushi detyrën, duke ia arritur të ndryshojë një realitet të përfytyruar më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore