Kultura

Revista TIME: Dua Lipa një ndër personat me influencë të madhe


Magazina “Time” në faqen zyrtare në Instagram ka prezantuar “2021 TIME100 Next”.

Në këtë kampanjë, Time shfaq 100 personazhe dhe figura që janë inkuadruar në skenën botërore rishtazi.

Këto 100 personazhe janë të përfshirë pikërisht për faktin që po formësojnë të ardhmen e argëtimit, shëndetit, politikës, biznesit dhe shumë fushave të tjera.

Duket se këta njerëz janë duke pasur ndikim të madh në të rinjtë dhe ata persona që ndjekin zhvillimet nga emrat më të përfolur anë e mbanë globit.

Në mesin e këtyre është edhe ylli me prejardhje kosovare, Dua Lipa. Time përshkruan Dua Lipën si një “yll i shndritshëm, që është duke formësuar një shteg verbues nëpër kozmosin pop”.

Dua Lipa, me dy albume të publikuara, është ndër emrat kryesorë në kryetitujt e revistave dhe mediave me renome botërore. Ndonëse më pak se katër vjet më parë ajo publikoi albumin e parë, Lipa siguroi një vend në mesin e yjeve të klasës së parë në sferën e muzikës.

Ndërkaq, Time në postimin e saj, përfshiu edhe atë se çfarë Kylie Minogue, një ndër artistet më të mëdha në zhanrin pop, kishte thënë për Dua Lipën.

“Sot, ajo po vallëzon dorë për dore me “zeitgeist” (frymë historike), pasi ka gdhendur me saktësi vendin e saj në rrafshin kulturor. Unë, si miliona të tjerë, pres më shumë e më shumë nga La Lipa”, ka thënë Minogue.

Dua Lipa së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “We’re good”, të cilën e ka shoqëruar me një video-klip.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore