Aplikacione

TikTok-u teston tiparin e ri të përmbajtjeve 24-orëshe


TikTok, platforma e ndarjes së videove, po provon një veçori të re të klipeve që zhduken, të ngjashme me funksionet në Snapchat, Facebook dhe Instagram.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se veçoria e re e quajtur TikTok Stories do t’i lejojë përdoruesit të shohin përmbajtjen e postuar nga llogaritë që ata ndjekin për 24 orë para se ajo të fshihet automatikisht.

Kjo lëvizje vjen teksa WhatsApp-i ka nxjerrë një veçori për përdoruesit që të postojnë foto ose video që zhduken pasi ato shihen.

TikTok-u, i cili është në pronësi të ByteDance në Kinë, ka thënë se “ne jemi gjithmonë duke menduar për mënyra të reja për t’i sjellë vlerë komunitetit tonë dhe për të pasuruar përvojën në TikTok”.

Dhe se “aktualisht, ne jemi duke eksperimentuar me mënyra për t’u dhënë krijuesve formate shtesë për të sjellë në jetë idetë e tyre krijuese për komunitetin TikTok”.

“BBC” tregon se karakteristika e re u vendos në qendër të vëmendjes nga konsulenti i mediave sociale, Matt Navarra, i cili ndau fotografi të TikTok Stories në platformën Twitter.

Megjithatë, TikTok-u mbetet platforma e fundit kryesore e mediave sociale që eksperimenton me funksionin e bërë së pari të njohur nga Snapchat-i.

Dhe kjo ka ardhur pasi WhatsApp-i që është në pronësi të Facebook-ut, prezantoi një funksion që lejon përdoruesit e vet që fotografitë ose videot të zhduken pasi të shihen.

Në funksionin “shiko një herë”, një imazh fshihet pasi marrësi e hap atë për herë të parë dhe nuk ruhet në një telefon.

Nga ana e vet, WhatsApp-i ka bërë me dije se funksioni kishte për qëllim “t’u japë përdoruesve edhe më shumë kontroll mbi privatësinë e tyre”.

Sidoqoftë, avokatët në mbrojtje të fëmijëve kanë shprehur shqetësimin se mesazhet që zhduken automatikisht mund të ndihmojnë në fshehjen e provave të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Jo më larg se më 3 gusht, Twitter-i e ndërpreu funksionin e tij të ngjashëm, i cili i lejonte përdoruesit të postonin foto dhe video që zhdukeshin pas 24 orësh.

Ky funksion i Twitter-it u prezantua për herë të parë në mars të vitit të kaluar në përgjigje të popullaritetit të Snapchat-it dhe Instagram Stories.

Dhe në tetë muajt që ishte në dispozicion, Twitter-i shtoi një sërë karakteristikash të reja, duke përfshirë GIF-et, afishet dhe tekstet me ngjyra të ndryshme.

Por, tipari nuk u përdor aq gjerësisht sa kishte shpresuar kompania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore