Aplikacione

TikTok-u në ndihmë të mirëqenies së adoleshentëve


Platforma e shpërndarjes së videove, TikTok, ka njoftuar një sërë ndryshimesh për të cilat ka thënë se janë krijuar për të mbrojtur mirëqenien e përdoruesve adoleshentë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se përdoruesit e moshës 13 deri në 15 vjeç, të cilët janë edhe më të shumtët në platformë, nuk do të marrin njoftime push nga ora 21:00.

Kurse ata të moshës 16 dhe 17 vjeç, nuk do t’i marrin këto njoftime nga ora 22:00.

TikTok-u ka ravijëzuar se kjo lëvizje e tij vjen për t’i ndihmuar ata të përqendrohen në punë, studim, relaksim dhe gjumë.

Mirëpo, ky nuk është i vetmi ndryshim i ndërmarrë nga platforma e popullarizuar mes adoleshentëve.

TikTok-u po ndryshon gjithashtu edhe cilësimet e tij të paracaktuara. Kjo do të thotë se 16 dhe 17-vjeçarët do të duhet të zgjedhin për të marrë mesazhe në mënyrë direkte.

Kushtet e privatësisë

“Ne duam të ndihmojmë përdoruesit tanë më të vegjël, në veçanti, që të zhvillojnë zakone pozitive digjitale sa më herët”, ka treguar platforma.

“BBC” dallon se ky njoftim i saj vjen pas prezantimit të masave nga YouTube-i në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve.

Nga ana tjetër, një njoftim i mëparshëm nga TikTok-u kufizoi mesazhet direkte vetëm mbi moshën 16 vjeç.

Tanimë, për 16 dhe 17 vjeçarët, mesazhet direkte do të klasifikohen te “askush”. Kjo si një parazgjedhje, që do të thotë “për t’u dërguar mesazhe të tjerëve, ata do të duhet të kalojnë në mënyrë aktive në një opsion të ndryshëm të ndarjes”.

Ndërkohë, përdoruesve ekzistues do t’u kërkohet që të rishikojnë dhe konfirmojnë cilësimet e tyre të privatësisë herën tjetër kur të dërgojnë një mesazh.

Për më tepër, kompania ka treguar se para se të mund të postojnë TikTok-un e tyre të parë, përdoruesve nën 16 vjeç do t’u kërkohet të zgjedhin se kujt do t’ia bëjnë videot e tyre të dukshme. Një zgjedhje kjo mes ndjekësve të tyre, vetëm miqve apo vetëm për veten e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore