Aplikacione

TikTok-u heq më shumë se 7 milionë llogari të dyshuara si nën moshë


Media sociale, TikTok, ka hequr në tremujorin e parë të këtij viti afro 7.3 milionë llogari që dyshohet se i përkisnin fëmijëve nën moshë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se platforma për ndarjen e videove ka njoftuar se profilet përbënin më pak se një për qind të përdoruesve globalë.

Kjo pasi fëmijët e moshës 13 vjeç e lart lejohen të përdorin platformën, e cila është shumë e popullarizuar tek adoleshentët.

BBC shkruan se kjo rezulton të jetë hera e parë që TikTok-u publikon shifra të tilla në një Raport të Zbatimit të Udhëzimeve të Komunitetit.

Ndër të tjera, platforma ka pohuar se shpresonte që detajet në lidhje me përdoruesit nën moshë do të “ndihmojnë industrinë të ecë përpara kur bëhet fjalë për transparencën dhe llogaridhënien rreth sigurisë së përdoruesit”.

Prej raportit del se afro 62 milionë video janë hequr nga platforma për shkak të shkeljeve të rregullave. Një shifër kjo që përbën rreth një për qind të të gjitha videove të ngarkuara

Nga to, 82 për qind janë hequr para se të shikoheshin, 91 për qind para se të raportonte ndonjë përdorues dhe 93 për qind brenda 24 orëve nga postimi.

Gjithashtu TikTok-u ka theksuar se ka prezantuar disa masa për të mbrojtur adoleshentët në platformë, duke përfshirë kufizimin e veçorive si mesazhet private dhe transmetimin e drejtpërdrejtë për përdoruesit e moshës 16 vjeç e lart.

Dhe se ata përdorues që janë nën moshën 16 vjeç do të kenë llogaritë e tyre automatikisht të vendosura private. Një tipar ky që është prezantuar në janar të këtij viti.

“Për të sjellë më shumë vizibilitet në veprimet që bëjmë për të mbrojtur të miturit, në këtë raport ne shtuam numrin e llogarive të hequra të një personi potencialisht nën moshë”, ka pohuar Cormac Keenan, kreu i sigurisë në TikTok.

Ai ka vazhduar se “në mënyrë që të vazhdojmë të forcojmë qasjen tonë për të mbajtur TikTok-un, një vend për njerëzit 13 e lart, ne synojmë të eksplorojmë teknologji të reja për të ndihmuar në sfidën e gjithë industrisë për sigurimin e moshës”.

Edhe pse aplikacioni është i popullarizuar tek adoleshentët, shqetësimet për përdoruesit nën moshë janë në rritje.

Përdoruesit nën moshë

“Një nga sfidat me të cilat përballet TikTok-u dhe nuk është ndryshe nga format e tjera të mediave sociale është verifikimi i moshës së përdoruesve”, ka thënë Chris Stokel-Walker, autor i TikTok Boom.

Ai ka vijuar se “TikTok-u ka disa nga teknologjitë më të sofistikuara të vizionit kompjuterik në botën e teknologjisë, dhe me to, me siguri ka aftësinë për të parë me saktësi të duhur përdoruesit nën moshë. Por përdorimi i një teknologjie të tillë do të kërkonte shumë leje për të cilat njerëzit mund të ndihen të qetë”.

BBC shkruan se kjo lëvizje e kompanisë vjen teksa ajo po paditet për mënyrën se si mbledh dhe përdor të dhënat e fëmijëve.

Dhe se pretendimi po bëhet në emër të miliona fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të cilët përdorin platformën. Mirëpo, firma e teknologjisë ka thënë se çështja ishte pa meritë dhe se do ta luftonte atë.

Në Itali, vëzhguesi i privatësisë së të dhënave ka urdhëruar TikTok-un në janar që të bllokonte llogaritë nën moshë, pas vdekjes së një vajze 10-vjeçare që provoi një sfidë virale në aplikacion.

BBC dallon se rritja dhe ngritja e TikTok-ut ka qenë e jashtëzakonshme pasi jo vetëm që është një nga aplikacionet me rritjen më të shpejtë të parë ndonjëherë, por ndoshta është edhe më i shqyrtuari.

Dhe se ngjashëm me të gjitha rrjetet sociale, kompania është në vijën midis tërheqjes së adoleshentëve, të cilët janë e ardhmja e të gjitha platformave, dhe sigurimit që ata nuk janë shumë të vegjël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore