Aplikacione

TikTok mund të gjobitet për dështimin në mbrojtjen e fëmijëve


TikTok-u mund të përballet me një gjobë prej 27 milionë paund për dështimin në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve kur ata përdorin platformën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) ka zbuluar se platforma e ndarjes së videove mund të ketë përpunuar të dhënat e moshave nën 13 vjeç pa pëlqimin e duhur.

Dhe se shkelja ka ndodhur për më shumë se dy vjet, por ende nuk ka nxjerrë përfundime përfundimtare. Kurse TikTok-u i kundërshton gjetjet, duke vënë në dukje se ato janë “të përkohshme”.

Njoftimi i mbikëqyrësit të MB-së parashtron se TikTok-u ka shkelur ligjin e vendit për mbrojtjen e të dhënave midis majit 2018 dhe korrikut 2020.

Sakaq, hetimi ka zbuluar se platforma ka përpunuar të dhënat e fëmijëve nën moshën 13 vjeç pa pëlqimin e duhur prindëror dhe se nuk ka arritur të sigurojë informacionin e duhur për përdoruesit në një mënyrë transparente.

Komisioneri John Edwards ka thënë se “të gjithë duam që fëmijët të jenë në gjendje të mësojnë dhe përjetojnë botën digjitale, por me mbrojtjen e duhur të privatësisë së të dhënave”.

“Kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale kanë një detyrë ligjore për të vendosur mbrojtje, por pikëpamja jonë e përkohshme është se TikTok-u nuk e përmbushi atë kërkesë”, ka shtuar ai.

Platforma ka shpalosur një sërë veçorish për të forcuar privatësinë dhe sigurinë në faqe duke përfshirë lejimin e prindërve të lidhin llogaritë e tyre me ato të fëmijëvedhe çaktivizimin e mesazheve direkte për moshat nën 16 vjeç.

“Kam qenë i qartë se puna jonë për të mbrojtur më mirë fëmijët në internet përfshin punën me organizatat, por gjithashtu do të përfshijë veprime detyruese aty ku është e nevojshme”, ka thënë Edwards.

Po ashtu ka treguar se aktualisht po shqyrtohet se si mbi 50 shërbime të ndryshme në internet janë në përputhje me Kodin e Fëmijëve dhe ka gjashtë hetime të vazhdueshme që kërkojnë kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale.

I prezantuar në shtator të vitit të kaluar, Kodi i Fëmijëve vendosi kode të reja praktike për mbrojtjen e të dhënave për shërbimet në internet që ka të ngjarë të aksesohen nga fëmijët, bazuar në ligjet ekzistuese për mbrojtjen e të dhënave.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore