Aplikacione

TikTok arrin globalisht 1 miliard përdorues aktivë mujorë


Aplikacioni i shpërndarjes së videove, TikTok, ka deklaruar se ka arritur një miliard përdorues aktivë mujorë në mbarë botën këtë verë, duke shënuar një rritje prej 45 për qind që nga korriku i vitit 2020.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa, Brazili dhe Azia Juglindore janë tregjet më të mëdha për aplikacionin e popullarizuar ndër adoleshentë të videove të shkurtra.

Përgjatë viteve të fundit, TikTok-u ka përjetuar rritje të përdoruesve në të gjithë botën, pavarësisht nga kontrolli rregullator me të cilin po përballet në SHBA dhe rajone të tjera.

Më parë, kompania ka bërë me dije se kishte rreth 55 milionë përdorues global deri në janar të vitit 2018.

Ky numër është rritur në më shumë se 271 milionë deri në dhjetor 2018, 508 milionë deri në dhjetor 2019 dhe 689 milionë deri në korrik 2020.

Nga ana tjetër, Facebook-u ka raportuar 2.9 miliardë përdorues aktivë mujorë në fund të qershorit 2021, sipas raportit të tij të fundit tremujor.

Kurse TikTok-u ka deklaruar më parë se ka tejkaluar dy miliardë shkarkime globale deri në muajin gusht të vitit 2020.

Platforma e ndarjes së videove është në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë, ByteDance.

TikTok-u ka emëruar edhe kreun e ri të ByteDance, Shouzi Chew, një shtetas nga Singapori, si shefi i ri ekzekutiv i kompanisë në fillim të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore