Sport

Tifozët e Chelsea-t kërcënojnë familjen e Potter, Arteta i del në mbrojtje


Chelsea është duke kaluar në një moment shumë të vështirë në kohët e fundit, teksa në vitin 2023 ka marrë vetëm një fitore (ndaj Crystal Palace) në 11 ndeshje në të gjitha garat.

Për këtë formë është duke u akuzuar edhe trajneri i bluve të Londrës, Graham Potter, i cili së fundmi ka marrë kërcënime edhe nga tifozët e klubit të tij, të cilët nuk i kanë kursyer as kërcënimet për familjen e tij.

Së fundmi, në krah të Potter i ka dalë edhe kolegu i tij tek Arsenal, Mikel Arteta.

Trajneri i londinezëve u shpreh se vështirësitë në punën e trajnerit janë normale, por ato nuk duhen lejuar që të ndikojnë tek pjesa e familjes.

“Profesioni i trajnerit është gjithmonë kërkues, madje kjo ndodh edhe kur fiton. Por, profesioni nuk duhet të ndikojë tek familja apo jeta jashtë futbollit”, tha fillimisht Arteta kur u pyet në lidhje me homologun e tij.

“Familja, shokët, njerëzit e dashur nuk e meritojnë të ndikohen thjesht sepse humbe një ndeshje futbolli”, shtoi Arteta.

“E kuptoj shumë mirë presionin që ndjen Potter, por futbolli është e mbushur me të papritura. Fakti është se topi duhet të përfundojë gjithnjë në rrjetë, por ka shumë faktorë që e ndalojnë këtë” tha trajneri i Arsenal-it.

Kur u pyet se a ishte kërcënuar ndonjëherë Arteta, ai tha: “Nuk preferoj të flas për këtë temë”.

Kujtojmë që Potter u emërua trajner i Chelsea-t më 8 shtator të vitit të kaluar, duke e zëvendësuar të shkarkuarin, Thomas Tuchel.

Deri më tani, ai e ka drejtuar Chelsea-n në 26 ndeshje nëtë gjitha garat, prej të cilave 10 i ka humbur, shtatë i ka barazuar dhe nëntë i ka fituar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore