Shqipëria

Thyhet rrethimi i Policisë, protestuesit shqelmojnë dyert dhe ndezin qirinj


Është përmbyllur me incident protesta e opozitës së bashkuar përpara Kryeministrisë, ku kordoni policor është thyer dhe disa demonstrues janë ngjitur pranë dyerve të godinës, duke shqelmuar edhe dyert e blinduara me hekur.

Nga ana tjetër, disa qytetarë, me të ngjitur shkallët e Kryeministrisë, kanë filluar të ndezin qirinj, paqësisht, si shenjë revolte për disa vdekje të ndodhura në kohët e fundit, për të cilat akuzohen forcat blu.

Me të përmbyllur fjalimin e tij kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, disa prej demonstruesve u larguan nga vendi, ndërsa të tjerë, u turrën drejt godinës së Kryeministrisë.

Kordoni i thjeshtë policor, me vetëm një rresht të tillë, pas një rezistence të shkurtër, u thye përballë qytetarëve dhe këta të fundit vërshuan brenda.

Me të ndodhur kjo gjë, disa të rinj kanë vandalizuar ndërtesën, duke hedhur bojë dhe duke goditur pjesën e blinduar të dyerve.

Më pas, menjëherë në vendngjarje, kanë ardhur përforcime nga radhët e Policisë dhe u bë neutralizimi i atyre demonstruesve, të cilët po ndërmerrnin veprime kundrejt objektit.

Disa prej tyre, janë shoqëruar menjëherë nga efektivët, ndërsa të tjerë vijojnë të qëndrojnë në shkallët e Kryeministrisë, duke ndezur qirinj.

Këta të fundit, nuk janë prekur nga ana e policëve dhe janë lënë të vijojnë protestën e tyre.

Ndërsa, pas disa minutash, kanë ndërhyrë në vendngjarja edhe efektivët e Forcave Shqiponja, të cilët kanë vendosur një kordon në zonën rreth dyerve të godinës, duke e bërë të pamundur afrimin e protestuesve.

Me të parë këtë veprim nga ana e efektivëve, edhe qytetarët janë larguar thuajse të gjithë, me vetëm pak të mbetur tek shkallët e Kryeministrisë.

Arsyeja pse mendohet se qytetarët kanë ndezur qirinj, ka qenë thirrja e Berishës, për ta ndërmarrë këtë vendim si formë homazhi, në nder të Klodian Rashës, një të riu të vrarë nga një efektiv policie gjatë periudhës së pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore