Lajme

Thyhet besimi se gratë mund të jetojnë më gjatë se burrat


Është sërish në pikëpyetje besimi se gratë jetojnë më shumë se burrat, veçanërisht burrat që janë të martuar ose që disponojnë një diplomë universitare.

Referuar një studimi të fundit, megjithëse burrat kanë jetëgjatësi më të ulët se seksi i kundërt, ata kanë një “shans të konsiderueshëm për të jetuar më gjatë se femrat”.

Akademikët në Danimarkë kanë dalë në përfundimin se midis 25 për qind dhe 50 për qind e burrave kanë jetuar më gjatë se gratë.

Ata kanë ravijëzuar se ndryshimet e mëdha të jetëgjatësisë ndonjëherë maskojnë mbivendosje thelbësore në jetëgjatësinë midis gjinive.

I botuar në revistën “BMJ Open”, studimi ka shqyrtuar të dhënat mbi jetëgjatësinë e burrave dhe grave në 199 vende për pothuajse 200 vjet.

Ai arriti në përfundimin se burrat kanë një probabilitet të lartë për të jetuar më gjatë se gratë, veçanërisht ata që janë të martuar ose kanë një diplomë.

“Meshkujt që janë të martuar ose kanë një diplomë universitare priren të jetojnë më shumë se femrat që janë të pamartuara ose që nuk kanë një diplomë të shkollës së mesme”, kanë thënë autorët.

Po ashtu studimi i tyre ka zbuluar se në vendet e zhvilluara, probabiliteti që burrat të jetojnë më shumë se gratë ra deri në vitet 1970, pas së cilës u rrit gradualisht në të gjitha popullatat.

Rritja dhe rënia e dallimeve në jetëgjatësinë i atribuohen kryesisht pirjes së duhanit dhe ndryshimeve të tjera të sjelljes.

“Një interpretim i verbër i ndryshimeve të jetëgjatësisë ndonjëherë mund të çojë në një perceptim të shtrembëruar të pabarazive aktuale në jetëgjatësi”, ka zbuluar hulumtimi.

Dhe se, megjithëse jetëgjatësia e meshkujve është përgjithësisht më e ulët se jetëgjatësia e femrave, dhe shkalla e vdekjes së meshkujve është zakonisht më e lartë në të gjitha moshat, “meshkujt kanë një shans të konsiderueshëm për të jetuar më gjatë se femrat”.

“Këto gjetje sfidojnë përshtypjen e përgjithshme se burrat nuk jetojnë aq gjatë sa gratë dhe zbulojnë një pabarazi më të nuancuar në jetëgjatësinë midis femrave dhe meshkujve”, ka vijuar ai.

Sakaq, autorët e përfshirë në studim kanë sugjeruar se një masë më e mirë mund të ishte ekzaminimi i jetëgjatësisë së të dy gjinive në vende të ndryshme.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore