Lajme

Thyerja që provoi aktivisti i Vetëvendosjes pasi u largua: Mos e provofshi, e përjetuam rëndë si familje – isha i lidhur shpirtërisht


Shkëlzen Bislimi, ish-aktivist i Lëvizje Vetëvendosje në Lipjan

I thyer emocionalisht, me staturë të kërrusur dhe shumë i zhgënjyer me çfarë ka ndodhur, është paraqitur në një intervistë televizive, Shkëlzen Bislimi, aktivist i Lëvizje Vetëvendosje në Lipjan, pjesë e të cilës më nuk do jetë, sepse ka vendosur të largohet, meqë pa e kuptuar atë ditë e sot pse, iu kumtua se ai s’bën të garojë për kryetar dege, kur dorëzoi aplikimin.

Pozita është e rezervuar për Adnan Rrustemin, figurë e rëndësishme e Vetëvendosjes në qendër, deputet gjithashtu.

Ai është kandidati i vetëm, atë e do qendra “prej 20 vetash në Prishtinë që vendos”, siç ka thënë Bislimi.

“Mos e provofsh”, u përgjigj ai në emisionin Frontal në T7, kur u pyet se a ishte vështirë të largohej nga Lëvizja.

Në tjetër parti nuk e ka ndërmend të shkojë, sepse “nuk më pëlqejnë subjektet tjera”, deklaroi Bislimi.

“Jam rritur me Lëvizjen, kam bërë aktivitet aty dhe është e vështirë të shkoj diku tjetër. Thjesht, kam vendosur që të pushoj edhe të mendoj”.

A pret të kthehet prapë? “Duket se ka përfunduar gjithçka”, përgjigjet Bislimi me zërin që i dridhet kur rimendon ndarjen nga organizata që thotë se ia fali rininë.

“E kam përjetuar tepër rëndë, është shumë e rëndë. Je me një subjekt politik, me anëtarë me aktivistë, je bërë si familje, ke kaluar kohë dhe në fushatë presionin më të madh ti s’ke qenë në familje, por me ta”.

Kjo, pohon Bislimi, të bën që të krijosh “lidhje shpirtërore”.

“Lidhja shpirtërore bëhet shumë e madhe, gëzimi për fitore pastaj nuk je me familje, por me anëtarë të subjektit dhe tash i bie sikur të ndahem nga familja, por fati ishte i tillë”.

Njëjtë si ai – rëndë – thotë se e ka përjetuar edhe familja e tij.

“Edhe babi ka qenë aktivist i Vetëvendosjes. Por, ai më ka thënë se duhet të largohet, sepse e ka parë që Lëvizja nuk është ajo që ne kemi besuar dhe kemi shpresuar që është”.

Shkëlzen Bislimi është vetëm një nga rreth 20 anëtarë të tjerë në gjithë Kosovën që u është mohuar kandidatura për kryetar degësh në qytete të ndryshme.

Prandaj Bislimi, tash i larguar dhe pa shpresë për t’u kthyer, thotë se ka një mesazh për partinë.

“Nëse thua dua zgjedhje, atëherë lëri njerëzit të garojnë, nëse do veç nga një kandidat për degë, atëherë emëroi kandidatët”.

Përkundër dëshpërimit, Bislimi e ka vështirë ta fajësojë kryetarin e partisë Albin Kurti.

“Mbase ai nuk po e di çfarë po ndodhë”, tha aktivisti i sapo larguar, “po ka shumë punë në qeveri”. “Ose ndoshta po e di, akoma s’e kam kuptuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore