Kosova

Thoshin se të gjithë ishin të vrarë…


Adem Meta, korrespondenti i Kohës Ditore, më kishte zgjuar nga gjumi herët në mëngjesin e 5 marsit. Një telefonatë rreth orës gjashtë të mëngjesit, e pazakontë për një përditshmëri, por ishte bërë e zakontë për shumicën nga ne që ishim në gazetari në vitet e fundit. Një zë i trishtueshëm tregonte se diçka e madhe po ndodhte në Prekaz. Pyetja, e cila më sillej në kokë ato ditë ishte – pse Drenica prapë kishte nisur luftë, pse pikërisht atje dhe pse po digjej prapë Prekazi?

Një rrëfim që më ishte bërë i bezdisshëm në shtëpinë time me vite të tëra. Nëna ime, që prejardhjen e kishte nga Prekazi, mbesa e Ahmet Delisë, më kishte rrëfyer se si e kishin djegur serbët familjen e saj. E kishin dëbuar dhe vrarë gati tërë familjen. Ishin përndjekur nga fshati dhe kishin ndërruar vendbanimin në tri drejtime. Më tregonte për sëpatën dhe trimërinë e Ahmet Delisë, dhe për një këngë që ishte thurur në çifteli, e kënduar nga një grup kuksianësh, që nëna me një kënaqësi të veçantë e dëgjonte. Më kishte thënë se si kishin dashur ta prishinin fejesën me babanë tim, për shkak të prejardhjes së familjes së saj, e shumë histori të tjera.

Kjo histori e Prekazit më ka ndjekur gjithë jetës sime. Asnjëherë nuk i kisha besuar nënës deri në fund. Jo për faktin se nuk i kishte ndodhur gjithë ajo që tregonte, por kisha përshtypjen se e stërmadhonte këtë punë. Thjesht, e pyesja – po çfarë ka mundur njeriu të bëjë me një sëpatë kundër policisë serbe? Më vonë, kam kuptuar se aty nuk ishte krejt problemi. Problemi qëndron te Drenica si regjion.

Pra, pyetja mbetej – pse Drenica prapë kishte nisur luftën, pse pikërisht atje dhe pse po digjej prapë Prekazi?

Drenica ishte djegur katër herë që nga koha e Ahmet Delisë. Një herë nga turqit dhe tri herë të tjera nga regjimet serbe dhe jugosllave. E lënë anash si rajon “armiqësor”, Drenica ishte katandisur nga varfëria dhe skamja e skajshme. Ata njerëz nuk kishin pasur çka të humbin. Të rritur mbi trimëritë epike, rajoni më i varfër i Kosovës ishte problem jo vetëm për veten e tyre, por ishte rrezik potencial për secilën Qeveri. Edhe sot, ashtu ka mbetur. Janë të  varfër dhe, me një vobektësi ekstreme, jetojnë me idenë se janë më të famshmit e kësaj toke.

Këtë rrëfim ua kisha shpjeguar edhe diplomatëve, Julian Braithwaite dhe Jonas Wais, që nxitonin me mua të shihnin ngjarjen e Prekazit të 5 marsit 1998.

Kur i tregova nënës për lajmin që ma dhanë se lufta ka krisur në Prekaz, ajo me krenari ma bëri me dije se e ka ditur që atje do të niste së pari.

“Në Prekaz, e ku tjetër”, më tha.

Por, këtë herë nuk ishte puna e luftës së sëpatës dhe pushkëve të Ahmet Delisë.

Ishte diçka më shumë.

Kulla e Ahmet Delisë tashmë kishte mbetur shkretë dhe rrëfimi për ta më shumë ishte bërë ep sesa që dinim realisht se çka kishte ndodhur.

Tash, ishin kohë të tjera.

Landroveri britanik kishte marrë udhë kah rruga që çonte në Gllogoc dhe pastaj Skenderaj. Por, me të dalë nga Fushë-Kosova, policia serbe ndalonte të gjitha veturat.

“Ku po shkoni?” ishte pyetja e vetme që bënin.

Posa thuhej se je nisur për në Skenderaj, të thoshin se rruga ishte e bllokuar.

Jemi kthyer mbrapsht dhe kur kemi arritur të ura në hyrje të Prishtinës, Julian Braithwaite i ra ndërmend se duhej provuar të udhëtohej nga ana e Mitrovicës. E luta që të mos provonim një çmendi të llojit të James Bond, siç e kishte bërë zakon ai muajve të fundit.

Tandemi diplomatik dhe unë nisemi rrugës për në Vushtrri. Kur arritëm në këtë qytezë, ishte krejt e qartë se kësaj radhe kishim të bënim me një aksion të madh, sepse çdo gjë ishte blu nga uniformat dhe kaskat e policisë.

Në Vushtrri, kam shkuar te shtëpia e dajës tim dhe e kam pyetur se si mund të hyhet në Prekaz. Më ka treguar shkurt rrugën dhe jemi nisur. Kemi kaluar urën e Vushtrrisë dhe kemi dalë në një rrugë të paasfaltuar. Shpejtësia ishte e pazakontë për një rrugë të tillë. Kemi udhëtuar disa dhjetëra kilometra dhe kemi arritur te një fshat që quhej Beçiq. Kemi pyetur për rrugën dhe jemi nisur drejt Mikushnicës – një fshat shumë i përfolur i Drenicës për trimëri. Jemi afruar në fshatin më të afërt të Prekazit dhe kemi hyrë te një grumbuj shtëpish, që dukeshin të harruara nga bota. Të rrethuara nga malet dhe pa asnjë dalje normale, këta njerëz bënin jetën pa ndonjë stres të madh. E dinin se diçka po kërcet, por nuk e kishin ndjenjën se diçka e madhe po ndodhte. Kemi pyetur se si mund të hyhet në Prekaz. Një njëri në moshë tregonte rrugën me gjeste dhe me ndonjë fjalë të çalë, që tregonte për mënyrën e jetës së tij. Më dukej si një memec, që kishte bërë trajnim me muaj për të treguar gjërat elementare të jetës së tij. Mezi na tregoi orientimin. “Shkoni në Prekazin e Epërm dhe atje asht nji shkollë”.

U nisëm drejt një bregoreje. Kur arritëm atje, shihej Prekazi dhe lëvizjet e tankeve. Jemi nisur rrugës drejt shkollës. Julian dëshironte gjithsesi një foto nga sulmi. I thashë se kjo ishte çmendi dhe se nuk mund të rrezikonim deri në këtë masë. Kemi vazhduar edhe më tej në  thellësi dhe dylbitë karakteristike suedeze vështronin gjithçka që ndodhte. Së paku, ajo që shihej dhe nuk mbulohej nga shtëpitë. Dy tanke që kishin dalë nga mali ku ndodhej fabrika dhe disa të tjera që kishin hyrë nga pjesa e sipërme e fshatit. Si dukej, autoblindat kishin ardhur nga e njëjta rrugë, ku ne ishim ato çaste. Një pjesë tjetër dukej nga arat, karshi asfaltit që ishin lëshuar nga fshati Polac, një fshat fqinj i Prekazit.

Kjo pamje ishte diçka e parë për dy diplomatët. Ata e dinin se çka po ndodhte tashmë në Prekaz. Duke qëndruar në vështrim të ngjarjes, pamë policë të uniformuar dhe mund të dallonim me dylbi uniformat ngjyrë hiri. Ata ishin kominoshe. Uniformë tjetër nga ajo që kishim parë zakonisht. Në pamje të parë, dukeshin policë me uniformë automekaniku, por i dallonte një kapelë e veçantë në kokën e tyre.

Dy tanket mbi kullat e Jasharajve ishin vërejtur duke hedhur granata. Të dy diplomatët merrnin shënime në fletoret e tyre dhe filluan të shënonin detajet e shifruara, që për mua nuk thoshin asgjë.

E kapa se po flisnin për llojet e armëve që përdoreshin.

Të dy tanket ishin të ngjyrosura ndryshe dhe kishe përshtypjen se nuk ishin ushtarake. “Me rëndësi për ne është se serbët janë duke përdorur armë ushtrie”, tha Jonas.

Unë nuk e pata të qartë në fillim se çfarë në të vërtetë do të thotë kjo.

“Po, është me rëndësi”, thoshte Julian.

Serbët kishin premtuar se nuk kishin nevojë të përdorin ushtrinë. Një grup i vogël njerëzish do të eliminohej lehtë, kishin deklaruar autoritetet në Beograd.

E veçanta e kësaj ishte se – ata identifikuan ushtrinë duke sulmuar.

Disa metra larg nesh, zhvilloheshin luftime. Kemi marrë ikjen, kur pamë se sa thellë kishim hyrë. Derisa kërkonim rrugën te Landroveri, dhjetëra refugjatë ishin rrugës. Jemi afruar te dy traktorë me refugjatë.

“Të gjithë janë të vrarë”, na thoshin.

Një vajzë, që pretendonte një frëngjishte të çalë, fliste me Jonasin, kurse Juliani mori guximin të pyeste me një serbishte gjithashtu të çalë, duke dashur që nga dora e parë të merrte informata.

“Në Drenicë, nuk dinë serbisht”, ia bëra me dije Julianit.

U habit ca, por nuk kishim kohë për të sqaruar.

Kemi marrë disa informata nga refugjatët e parë brenda Kosovës.

Shpjegonin një korridor që kishin lënë për fshatarët dhe gjuajtjet e tmerrshme nga lloj-lloj armësh. Për refugjatët, të gjitha armët ishin bomba ose tanke. Pas disa minutash, kemi parë lëvizjen e disa “pincgauerëve” dhe kemi marrë vrapin te vetura. Kemi ikur si të ishim refugjatë. Nuk bënte punë as imuniteti diplomatik dhe asgjë tjetër.

Ishte koha për të ikur.

Kemi ngarë makinën me aq vrull për disa kilometra. Jemi ndalur te një shkollë. Shkruante: SHF “Azem Bejta”.

Një koincidencë e çuditshme.

Nga një histori komuniste dhe nga një dramë dhe disa filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”, e kisha të ditur ngjarjen e Azem Bejtes.

Një rrëfim për një histori të njëjtë fillova ta tregoj rrugës deri në Mitrovicë. Biseda u ndërpre disa herë, në të gjitha udhëkryqet.

Disa herë kam dëgjuar Julianin duke u shtyrë me policët serbë – se nuk kishin të drejtë ta kontrollonin veturën e tij, për shkak të imunitetit diplomatik. Nuk e përfillnin fare. Rrëfimi për heroin më është ndërprerë disa herë, derisa Juliani dhe Jonasi shpjegonin ngjarjen e Prekazit, Londrës, Stokholmit, ose edhe bosëve të tyre në Beograd.

“Pse nisemi për në Mitrovicë”, i pyeta.

Thanë se duan të humbin gjurmë dhe të themi se ishim në Mitrovicë.

Në Mitrovicë kemi kërkuar Zyrën e KMDLNJ, ku kemi takuar Profesor Latif Berishën, i cili ishte Kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, dhe disa të tjerë. Kemi pyetur për refugjatë dhe për disa gjëra të vogla.

Dhe, jemi nisur për në Prishtinë.

Jemi kthyer në redaksi. Asnjëri nga gazetarët nuk kishte arritur të hynte në Prekaz. Nuk kishte asnjë informatë se ç’po ndodhte brenda. As refugjatë nuk kishte më.

Kemi shkuar të zyrat e LDK-së dhe nuk kemi takuar njeri, përveç Enver Malokut dhe Rexhep Gjergjit. Rexhepi dukej i mllefosur, e kishte përjetuar shumë rëndë ngjarjen.

“E keqja është se nuk di çka të them”, fliste Rexhepi.

Ishte bërë krejt pluhur. Si duket kishte provuar të hynte në Prekaz, por nuk kishte mundur. Nuk tregonte se a kishte provuar, por nga natyra e shqetësimit tregonte se e kishte përjetuar shumë rëndë tërë këtë punë. Nuk deklarohej njeri për këtë. Rexhepi shante me mllef. Nuk di ku e kishte drejtuar mllefin, por i shpëtoi kjo fjali – “Duhet me luftu, he nanën e nanës…”, ishte fjalia e profesorit të matematikës.

I emocionuar siç ishte, mbante një qëndrim të pakontrolluar.

Më vonë, diku rreth orës gjashtë, jemi nisur në Restorantin “Hani i dy Robertëve”, aty ku gazetarët, në mbrëmje, grumbulloheshin për të mësuar diçka më shumë dhe për të këmbyer informatat.

Asnjë informatë nuk qarkullonte.

Doli që ne që kishim shikuar ngjarjen me dylbi, dinim diçka. Të tjerët kishin provuar të hynin nga Gllogoci.

Por, asgjë nuk kishte qarkulluar.

Alban Bujari, që njihej me guxim dhe një ndër më të mirët fotoreporterë që kishim, kishte provuar të bënte diçka. Me gjithë trimërinë e tij, nuk kishte bërë asgjë.

Dita dhe nata për ngjarjen e Prekazit kishte përfunduar. Nuk kishte ngjarje për gazetarët. As TV e Serbisë nuk jepte pamje nga Prekazi.

Lufta vazhdonte.

Në “Hanin e dy Robertëve” të Fadil Dragajt – ishin bërë ekipet për të hyrë në Prekaz. Bënim plane se kush me kë duhet të shkonte. Cili nga gazetarët duhej të shoqëronte kolegët e gazetave dhe televizioneve të huaja. Kemi ikur pas mesnatës. “Hani…” ishte i mbushur plot. Dukej si të ishim në izolim. Roletat e hekurit te “Hani…” – ishin siguria jonë. Kam arritur në shtëpi pas mesnate. E vetmja kureshtare në shtëpinë time, që kishte mbetur e zgjuar, ishte nëna ime. Ajo nuk fliste për viktima, por prapë fliste për trimërinë. Më dukej e çuditshme, se si e përjeton trimërinë ajo, mbesë e Prekazit. Edhe vdekjen e kuptonte si një heroizëm.

Të nesërmen në mëngjes kishin arritur refugjatët e parë. Në redaksi na erdhi Mahije Mala-Kodra. U ul në bufenë e redaksisë. Askush nuk dinte çka të bënte. I kemi larguar të gjithë gazetarët dhe e kemi marrë në pyetje Mahijen. E kemi dëgjuar rrëfimin e saj. Në bufe ishte Nick Hill, Sekretari i Dytë në Ambasadën Amerikane në Beograd. E kërkova Julianin dhe Jonasin, por nuk kishin qasje në telefon. Kërkonim zgjidhje për këtë punë. Vajzat e saj e tregonin ndryshe rrëfimin nga Mahija. Ajo jepte detaje që ishin gati të pamundshme. Fliste për viktima dhe për kallje shtëpish.

E kishim bërë zemrën gur. Nuk kishim çka të frikësoheshim më. E vetmja gjë që duhej bërë, ishte si ta shpëtonim Mahijen nga duart e policisë.

“Konferencë për shtyp”, tha Veton Surroi.

I vetmi shpëtim për të është ky.

“Por, nuk guxojmë ta bëjmë ne. Ne jemi gazetë”, thashë.

“Atëherë, thirreni LDK-në”, u përgjigj Vetoni.

E kam marrë zyrën e LDK-së. Posa e treguam se për çfarë bëhej fjalë, asnjëri prej tyre nuk merrte përgjegjësinë për rastin. Vetëm një njeri kishte marrë guximin. Ishte treguar trim. Enver Maloku. Po atë ditë kishte dalë një koment krejt ndryshe nga ajo që kishim lexuar deri atëherë. I ashpër, kritik dhe me mllef.

Enveri priti Mahijen, kurse ne kishim mbledhur me dhjetëra gazetarë për të dëgjuar rrëfimin e saj. Kishte edhe diplomatë.

Enver Maloku ishte ulur afër saj dhe hapi konferencën. Rrëfimi i Mahijes ishte bindës, por jo edhe aq. Gazetarët donin detaje, e jo fjali të përgjithësuara.

Kur përfundoi konferenca për shtyp, të gjithë e harruan Mahijen. Ajo mbeti e pastrehuar. Askush nuk donte ta strehonte. Na e kthyen Mahijen, gruan e luftëtarit Kodra nga Prekazi, në redaksi. Një njeri ishte i gatshëm ta strehonte.

“Unë e marr Mahijen në shtëpi”.

Ishte Ahmet Kurtolli, Drejtor i Marketingut në Koha Ditore. Ai, posa kishte ndërtuar një shtëpi të re dhe kishte një shtëpi të dytë në oborrin e tij. E gjithë shtëpia tashmë ishte në dispozicion. Ne u kujdesëm për ushqimin dhe strehimin e saj.

Aty kemi parë se çfarë përgjegjësie kishin njerëzit dhe politika.

E lufta kishte filluar rrufeshëm.

Në orët e mbrëmjes kishin arritur Juliani dhe Jonasi. Rrëfimi ishte i tmerrshëm. Ata ishin zënë në kurth diku në malet e Drenicës. Kishin provuar të hynin brenda në Prekaz, për ta parë situatën. Nuk kishim marrë leje as nga Qeveria për këtë. Ishin bërë verdh. Nuk u kishte mbetur pikë gjaku. I kishin zënë në flagrancë. Por, me një urdhër nga Beogradi, i kishin liruar. Rrëfimi i tyre tingëllonte i rrezikshëm. Kishin hyrë nëpër rrugë qorre, për të arritur në vendin e vrasjeve – në Prekaz. Kur ishin gjetur afër fshatit, pavërejtshëm, dikush u ishte afruar. Njerëz me maska ua kishin vënë tytat prapa shpinës. I kishin dërguar në komandën e aksionit, në rrugën që lidhte Skenderajn me Mitrovicën. Pasi që kishin kryer bisedën informative, u kishin dhënë të drejtën për t’u larguar. Nuk kishin marrë kurrfarë mesazhi, përveç që duhej të ktheheshin në Beograd. Ata nuk e bënë këtë. Mbetën në Prishtinë.

E shikonim ditarin e Beogradit dhe, përveç lajmit se ishte likuiduar “terroristi” Adem Jashari, ishte edhe lajmi se ishin zënë duke spiunuar edhe Juliani dhe Jonasi. Të nesërmen, doli komenti i redaksisë në gazetën Politika. Diplomati britanik dhe ai suedez ishin shpallur “persona non grata” për shtetin e Jugosllavisë.

Raporti ishte nisur po atë natë. Jonasi kishte zënë një vend në tavolinën time, për të dërguar me urgjencë atë që i kishte ndodhur dhe kishte parë.

Ajo që ndodhi më vonë – është e njohur për të gjithë. Por, një gjë që u bë pas vrasjeve në Prekaz – nuk është bërë e ditur asnjëherë. Mijëra vetë kishin vërshuar malet e Kosovës, duke kërkuar armë dhe municion. Kishin kërkuar oficerë dhe ekspertë të luftës. Në mal kishin gjetur vetëm dhjetëra luftëtarë në zonat malore, që nuk dinin çka të bënin me këtë armatë të paarmatosur.

Nuk e dinin se kush në të vërtetë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo e imagjinuara. Që thuhej se ka ushtarakë nga më të ndryshmit, apo një grup luftëtarësh, që kishin nisur luftën guerile?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore