Kosova

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Nagavcit për posedim të sprejit në Kuvend


Arbërie Nagavci

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në rastin ku ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë të gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka konsideruar se kërkesa e të pandehurës Nagavci për hedhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë.

“Pretendimi i të pandehurës që në këtë fazë të hedhet aktakuza, del të jetë i pabazuar ngase gjykata vlerëson se duhet të vazhdohet me procedurën”, thuhet në vendim.

Po ashtu, sipas këtij vendimi Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria nëse ekzistojnë prova të tjera që do të mund të administroheshin në këtë çështje, të parashtrohen, në mënyrë që të sqarohen rrethanat lidhur me kryerjen e veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 10 qershor 2022, Nagavci ishte deklaruar e pafajshme lidhur me veprën penale në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore