Lajme

Themelimi i Asociacionit është i rëndësishëm për SHBA-të, thotë Chollet


Derek Chollet

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit Derek Chollet, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë t’ua bëjnë shumë të qartë lidershipit politik në Kosovë, rëndësinë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka për administratën e presidentit Joe Biden.

Pas narrativës së krijuar jo mbi atë që paraqet legalisht Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por mbi frikën se çfarë mund të paraqesë në një të ardhme, gjatë implementimit praktik, ai theksoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ne do të jemi shumë të qartë për pikëpamjet tona lidhur me këtë, rëndësinë që ka për ne dhe, gjithashtu, që nuk do ta krijojë një entitet sikur Republika Srpska brenda Kosovës. Ne do ta bëjmë pjesën tonë në tentimin për ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është”, tha Chollet.

Nënsekretari amerikan tha se akoma nuk kanë marrë asnjë propozim nga institucionet e Kosovës lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 2013, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.

“Janë disa detaje me të cilat duhet marrë. Mirëpo, ne mendojmë se ky është një zotim që është bërë në të kaluarën, ne besojmë se krijimi i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që nuk është diçka sikurse Republika Srpska. Nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do të çonim përpara”, tha ai.

Ai shtoi se gjatë vizitës në Prishtinë ku takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është njoftuar për rëndësinë që paraqet Asociacioni i komunave me shumicë serbe si një mekanizëm për më shumë të drejta dhe garanci shtesë për minoritetin serb.

“Mirëpo, e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga liderët serbë nga veriu, rëndësinë që ata e shohin në Asociacion, se si ata disi ndihen të shmangur nga vendimet që merren për komunitetin e tyre dhe duan të jenë pjesë e procesit, qoftë edhe duke marrë më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre”, theksoi ai.

Ndryshe, diplomati amerikan në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kishte ardhur nga Uashingtoni në Prishtinë për t’u takuar me krerët institucionalë dhe me liderët e partive politike në vend më 11 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore