Sport

Thellohet borxhi i Barcelona-s, Laporta gati të pranojë fondet nga CVC Partners


Joan Laporta, presidenti i klubit të Barcelona-s, së bashku me Florentino Perez-in e Real Madrid-it ishin dy kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes mes La Liga-s dhe fondit të investimeve “CVC Capital Partners”.

Një marrëveshje e tillë, u solli klubeve nga La Liga dhe La Liga 2 rreth 2.7 miliardë euro. Barcelona, Real Madrid-i dhe Athletic Bilbao ishin tre klubet që nuk e nënshkruan marrëveshjen.

Sipas spanjolles “La Vanguardia”, Laporta tashmë është dorëzuar dhe është gati të pranojë marrëveshjen me fondin.

Ferran Reverter-i, drejtori i përgjithshëm i Barcelona-s, prezantoi zyrtarisht raportin e auditimit për vitin financiar 2020/21, deri në mars. Sipas raportit humbjet e klubit ishin 481 milionë euro.

Duke qenë përballë faktit se humbjet ishin shumë të larta, Laporta po negocion me kreun e La Liga-s, Javier Tebas-in, për të marrë një fond prej 125 milionë eurosh.

“La Vanguardia” thekson se Reverter-i ishte i gatshëm të fliste për marrëveshjen e La Liga-s me “CVC” që klubi e refuzoi kur u miratua, nëse përmbajtja e saj ndryshon.

“Kushtet e ‘CVC’, që ata propozuan ne nuk mund t’i pranonim, por, nëse i ndryshojnë ato, ne mund të flasim”, tha ai të mërkurën duke lënë të hapur mundësinë e pranimit të marrëveshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore